Kupa e Shqipërisë/ Mes tensionit dhe protestave, Partizani fiton përballë Elbasanit në transfertë në 100 minuta

Mes kaosit dhe kontestimeve është mbyllur faza e ndeshjeve të para të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë.
Gjithçka ndodhi në ndeshjen e fundit mes Elbasanit dhe Partizanit ku rëndësia që i kishin dhënë të dyja skuadrat duelit i bën të kujdesshme ekipet për shumë minuta për të mos rrezikuar më tepër seç duhet. Dhe me një barazim 0-0 po shkonte drejt fundit ndeshja, kur në minutën e 89, Kasa ndalon në mënyrë të parregullt Skukën dhe për gjyqtarin ndërhyrja ishte jashtë zonës së rreptësisë, por pas verifikimit në VAR, u akordua penalltia që solli të gjithë shfryrjen e tensionit që mbarti takimi.
Gjithsesi Skuka e shndërron në gol këtë 11-metërsh dhe pas rreth 100 minutash lojë takimi i parë i këtij çifti për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë shkoi në favor të Partizanit që ka një avantazh tashmë për ndeshjen e dytë për të kaluar në gjysmëfinale.
Ndërkohë ndeshja tjetër e ditës ishte derbi i kryeqytetit Tirana-Dinamo, ku blutë e Ilir Dajës marrin fitoren e dytë brenda 4 ditëve me bardheblutë. 0-2, duke ju afruar fazës gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Dinamovitët arritën ti imponoheshin Tiranës që në fillim por pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0. Në të dytën, saktësisht në minutën e 75’-të, Dinamo arriti të zhbllokojë rezultatin me Lorenco Vilën duke marrë kryesimin në 1-0.
Ndërkohë që në fundin e takimit, ja bën më të vështirë misionin Tiranës për përmbysje në ndeshjen e kthimit, me golin e dytë të shënuar nga Dejvi Bregun i cili vulosi rezultatin përfundimtarë 0-2.
Ndeshjet e kthimit të fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë do të luhen më 4 mars.


