Nis gara për trajnerin e kombëtares italiane

Gennaro Gattuso nuk është më trajner i Kombëtares italiane. Largimi i tij u konfirmua zyrtarisht nga Federata Italiane e Futbollit, pas një periudhe të shkurtër në krye të “Axurrëve”.
Vendimi erdhi menjëherë pas humbjes ndaj Bosnjës në Zenica, që i kushtoi Italisë eliminimin nga play-offi për Botërorin. Pas kësaj disfate, qëndrimi i Gattusos në stol u vu seriozisht në pikëpyetje dhe në fund palët vendosën të ndërpresin bashkëpunimin.
Situata në futbollin italian është trazuar edhe më shumë nga zhvillimet në nivelet drejtuese, ku Gabriele Gravina dhe Gianluigi Buffon kanë dhënë dorëheqjen nga postet e tyre, duke krijuar një moment të vështirë për federatën.
Në deklaratën e tij, Gattuso theksoi se largohet me keqardhje, por e konsideron të drejtë të hapë rrugën për një projekt të ri teknik pas dështimit për të arritur objektivin kryesor. Ai falënderoi drejtuesit, lojtarët dhe tifozët, duke e cilësuar drejtimin e Italisë si një nder të madh.
Nga ana tjetër, Gravina vlerësoi punën e trajnerit 48-vjeçar, duke nënvizuar se ai arriti të rikthente energjinë dhe ndjenjën e përkatësisë në skuadër, pavarësisht rezultateve.
Tashmë, vëmendja zhvendoset tek pasuesi i mundshëm. Në listën e kandidatëve për stolin e Italisë përmenden emra të njohur si Roberto Mancini, Massimiliano Allegri, Simone Inzaghi dhe Antonio Conte.
Vendimi për trajnerin e ri pritet të merret pas mbajtjes së Asamblesë së Federatës, ndërsa përkohësisht skuadra mund të drejtohet nga stafi aktual i ekipeve zinxhir.


