AKU i bllokoi aktivitetin, reagon SORI-AL: Simptomat e studentëve nuk lidhen me helmim ushqimor

Aktualitet

AKU i bllokoi aktivitetin, reagon SORI-AL: Simptomat e studentëve nuk

Shoqëria SORI-AL ka reaguar pas vendimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për bllokimin e aktivitetit të saj, duke kundërshtuar pretendimet për një rast helmimi ushqimor të konfirmuar në Akademinë e Sigurisë.

Në deklaratën zyrtare, kompania thekson se sipas dokumentacionit të Shërbimit Infektiv pranë QSUT, personat e paraqitur kanë shfaqur simptoma të lehta deri të moderuara dhe janë diagnostikuar me “gastroenterit akut të dyshuar”, pa konfirmim laboratorik për helmim ushqimor.

SORI-AL shton se analizat e Institutit të Shëndetit Publik nuk kanë identifikuar patogjenë bakterialë apo viralë, ndërsa tamponët e personelit kanë rezultuar negativë për Salmonella dhe Shigella. Po ashtu, sipas kompanisë, analizat e ujit janë brenda normave të lejuara.

Subjekti pretendon gjithashtu se nga nëntë mostrat e marra nga AKU, tetë kanë rezultuar konform standardeve, ndërsa një jokonformitet lidhet me një kampion të vaktit të darkës, i cili sipas saj nuk ka lidhje me rastin e raportuar të drekës.

Kompania e cilëson të pajustifikuar masën e bllokimit total, duke argumentuar se raporti epidemiologjik nuk rekomandon mbyllje, por vetëm masa monitoruese dhe higjieno-sanitare. SORI-AL paralajmëron gjithashtu ndjekjen e rrugëve ligjore për kundërshtimin e vendimit dhe mbrojtjen e aktivitetit të saj.

Në fund, kompania njofton se ka ndërmarrë masa të menjëhershme dezinfektimi dhe bashkëpunimi me institucionet përkatëse.

 

 

ME TE LEXUARAT