Prapaskenat e rezolutës për BE/ Si u arrit pakti mes PS dhe PD pas telefonatës Balla-Bardhi në mesnatë

Në një moment kur dukej se qëndrimet mes maxhorancës dhe opozitës ishin thellësisht të ndara për procesin e anëtarësimit të Shqipëri në Bashkimi Evropian, në Kuvend është arritur papritur një konsensus për rezolutën e integrimit.
Rezoluta parashikon bashkëpunim më të gjerë institucional dhe angazhim të përbashkët për avancimin e procesit të integrimit europian, duke theksuar nevojën për dialog politik dhe përfshirje të opozitës në veprimtarinë parlamentare.
Sipas dokumentit, palët angazhohen për krijimin e kushteve për pjesëmarrje më të gjerë të opozitës, si dhe respektimin e standardeve demokratike në funksion të procesit të integrimit në Bashkimi Evropian.
Nga mazhoranca, Igli Hasani deklaroi se rezoluta synon forcimin e konsensusit kombëtar mbi prioritetet europiane dhe avancimin e negociatave me BE.
“Të nxisë dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës për të siguruar konsensus kombëtar mbi prioritetet europiane. Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”, u shpreh Igli Hasani.
Ndërsa nga opozita, Albana Vokshi u shpreh se drafti përfaqëson një kontribut të rëndësishëm të opozitës dhe një hap drejt përfshirjes reale në proces.
Burime nga Kuvendi bëjnë me dije se dakordësia është arritur pas kontakteve mes përfaqësuesve politikë, përfshirë diskutime për riformulimin e disa pikave dhe ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës.
Mësohet se dy protagonistët e dakordësisë janë Taulant Balla dhe Gazment Bardhi.
Mes tyre ka pasur një telefonatë, nga ku Balla është shprehur i gatshëm për të parë propozimet e opozitës, duke ngritur një grup pune në Komisionin e Punëve të Jashtme me Ilda Zhulalin, këshilltare e grupit të PD-së, dhe Edmond Haxhinaston nga opozita, si edhe Erion Malajn me Romina Kukon nga maxhoranca.
Drafti i rezolutës pritet të miratohet në seancën plenare, duke u konsideruar një nga rastet e rralla të bashkëpunimit politik mes maxhorancës dhe opozitës për procesin e integrimit të Shqipëri në Bashkimi Evropian.


