Akuza për fshehje të ardhurash dhe mospagim të taksave dhe tatimeve, Prokuroria e Tiranës çon në gjyq administratorin e kompanisë "TIBO"

Aktualitet

Akuza për fshehje të ardhurash dhe mospagim të taksave dhe

Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq disa persona dhe 5 shoqëri për katër vepra penale; mashtrimi, pastrimi produkteve, fshehje e të ardhurave e mospagim taksash.

Në përfundim të hetimit të procedimit penal nr. 2156, të vitit 2023, të nisur pas kallëzimit të shtetases M.H., rezultoi se gjithçka nisi pasi shtetasi A.M. i kërkoi një hua kësaj shtetaseje 2.200.000 euro, të cilat ajo i kishte përfituar nga shitja e një pasurie të paluajtshme, me qëllim që ai dhe ortaku i tij S. G., t’i investonin në biznes.

Ky shtetas ishte aksioner në shoqërinë “Magoware” shpk me objekt të aktivitetit ndërtimin, mirëmbajtjen përpunimin e të dhënave kompjuterike. Sipas kontratës, shuma e marrë hua do të përdorej për realizimin e projektit të kërkuar nga “Supercapital Italia” dhe “Oversport” shpk për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe realizimin e projektit të transmetimeve nëpërmjet aplikacioneve softwerike si Android, IOS, etj, për eventet e Serie A dhe të tjera, për sezonet 2021-2024.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi A.M., ka përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit për të mashtruar kallëzuesen. Ai shfrytëzoi marrëdhënien miqësore si dhe pozitën e tij si administrator dhe ortak në një grup shoqërish (“Magoware” sh.p.k., “Tibo” sh.p.k., “Tibo AL” sh.p.k., “Tibo Communication” sh.p.k. dhe “Oversport” sh.p.k.), në dëm të shtetases M.H, duke mos zbatuar kontratën për të kthyer shumën e marrë hua si dhe interesat.

Nga tërësia e volumit të transaksioneve të kryera si në shoqërinë Magoware shpk, ashtu edhe në shoqërinë OverSport shpk, rezultoi se këto kompani kanë patur mundësi financiare të vazhdonin të likuidonin huanë e marrë nga shtetasja H.M., por nuk e kanë bërë. Gjithashtu edhe shoqëritë ‘Tibo Communcations’ dhe ‘Tibo AL’, apo edhe shoqëritë e tjera të lidhura me këto subjekte, kanë patur mundësi financiare për të kontribuar në kthimin e shumës së marrë.

Përsa më lart nga analiza e provave të administruara, rezulton se janë përmbushur të gjithë elementët objektivë të veprës penale të mashtrimit. Po kështu, edhe shtetasit B.K. administratore e “TIBO AL” sh.p.k, B.K., administratore e “Oversport” sh.p.k., M.G., administratoresë e “Oversport” sh.p.k, administrator i shoqërisë “Tibo Communications” si dhe S.G në cilësinë e administratorit të “Magoware”, kanë marrë pjesë në realizimin e mashtrimit përmes veprimeve duke penguar kthimin e shumës së përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Ato kanë vepruar me dijeni të plotë për natyrën mashtruese të veprimeve të kryera.

Shtetasit në fjalë si dhe kompanitë, kanë konsumuar edhe veprën penale ‘Fshehja e të ardhurave’ si dhe ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve’. Nga ekspertimi kontabël rezultoi se gjatë vitit 2022, shoqëria “TIBO” sh.p.k. admnistruar nga shtetasi A.M. ka paraqitur një rritje të konsiderueshme të detyrimeve afatshkurtra në zërin “Të tjera të pagueshme”, e cila nuk mbështetet në burime të ligjshme dhe nuk është shoqëruar me dokumentacion financiar provues. Në këto rrethana, rezultoi se A.M., në cilësinë e administratorit të “TIBO” sh.p.k., ka vepruar në kundërshtim të hapur me detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni tatimor dhe kontabël, duke mos reflektuar të ardhurat reale të subjektit dhe duke shmangur pagimin e tatimeve përkatëse dhe po kështu edhe personat e tjerë të përfshirë.

Në lidhje me veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ nga analiza e dokumentacionit rezulton se “TIBO” ka kryer transferime të shumta dhe të paarsyetuara ndërmjet shoqërive të grupit, përfshirë huadhënien prej 383.158.664 lekësh ndaj “Oversport”, pa faturim tatimor dhe pa pasqyrim në bilancet financiare si të drejtë arkëtimi. Këto vlera janë qarkulluar jashtë sistemit bankar, kryesisht në cash dhe janë shpërndarë ndërmjet shoqërive të lidhura, me qëllim fragmentimin e gjurmëve financiare dhe vështirësimin e identifikimit të origjinës së shumave që rrjedhin nga mashtrimi dhe fshehja e të ardhurave.

Për sa më sipër, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë rezultoi e provuar se të pandehurit kanë konsumuar veprat e mëposhtme:

A.M., ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;

B.K., ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;

B. K., ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;

M.G., ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Fshehje e të ardhurave”;

S.G., ka konsumuar veprat penale “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;

“MAGOWARE” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”’;

“OVER SPORT” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;

“TIBO AL” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;

“TIBO Communications” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”; dhe

“TIBO” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”./gazeta shqip

ME TE LEXUARAT