Arrestimi i shefit të komisariatit dhe zyrtarëve të tjerë/ Hita në Sarandë: Tolerancë zero ndaj paligjshmërisë në radhët e policisë

Aktualitet

Arrestimi i shefit të komisariatit dhe zyrtarëve të tjerë/

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar pas operacionit të AMP-së në Sarandë, ku u arrestuan shefi i komisariatit dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të policisë.

Në deklaratën e tij, Hita e cilësoi të papranueshme përfshirjen e punonjësve të policisë në paligjshmëri, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se uniforma e Policisë së Shtetit nuk mund të përdoret si mburojë për shkeljet.

Ai u shpreh se raste të tilla dëmtojnë besimin e qytetarëve te institucionet dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm, të fortë dhe pa kompromis nga ana e strukturave ligjzbatuese.

Hita theksoi se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në luftën kundër ndërtimeve pa leje dhe çdo forme tjetër paligjshmërie, por nënvizoi se ky proces kërkon bashkëpunim të ngushtë mes Policisë, IKMT-së, IMT-së dhe pushtetit vendor.

Ai shtoi se çdo institucion duhet të veprojë në kohë dhe në koordinim për të parandaluar paligjshmërinë, veçanërisht në zonat turistike si Saranda, ku ndikimi i ndërtimeve pa leje është i madh në zhvillimin urban dhe turistik.

Në fund, Hita deklaroi se Policia e Shtetit do të vijojë me tolerancë zero ndaj shkeljeve të ligjit dhe se çdo punonjës që abuzon me detyrën do të largohet dhe do të përballet me drejtësinë, në bashkëpunim me AMP-në dhe Prokurorinë.

ME TE LEXUARAT