Avokati i Popullit kërkoi mbylljen e 5 burgjeve/ Deda: Kanë probleme me lagështirën, hapësirat dhe…

Aktualitet

Avokati i Popullit kërkoi mbylljen e 5 burgjeve/ Deda: Kanë probleme

Avokati i Popullit ka ngritur një alarm të fortë lidhur me gjendjen e disa burgjeve në Shqipëri, duke evidentuar kushte të rënda dhe problematika serioze që lidhen si me jetesën e të dënuarve, ashtu edhe me sigurinë në këto institucione.

I ftuar në emisionin “Studio24”, komisioneri i Avokatit të Popullit, Besnik Deda, bëri të ditur detaje nga raporti më i fundit i institucionit, i cili monitoron respektimin e të drejtave të njeriut në burgje dhe qendrat e paraburgimit. Sipas tij, disa prej institucioneve nuk përmbushin standardet minimale të kërkuara dhe paraqesin rrezik real për funksionimin e tyre.

Në raport kërkohet mbyllja e disa burgjeve, mes tyre Burgu i Burrelit, Burgu 302 në Tiranë, Godina A në IEVP 313, Burgu i Kolonjës në Lushnjë dhe Burgu i Kukësit.

Sipas Besnik Dedës, problematikat kryesore lidhen me mungesën e hapësirës për akomodim, lagështirën e lartë, mungesën e kushteve për ajrim dhe aktivitetet e të dënuarve, si dhe standardet e dobëta të sigurisë.

Ai theksoi se ky nuk është një vlerësim i momentit, por rezultat i monitorimeve të vazhdueshme ndër vite. Deda kujtoi gjithashtu se disa institucione të tjera janë mbyllur më parë pas rekomandimeve të Avokatit të Popullit, si Burgu i Zaharisë në Krujë dhe disa IEVP në zona të ndryshme të vendit.

Sipas tij, institucioni i Avokatit të Popullit do të vijojë të kërkojë ndërhyrje për përmirësimin e kushteve ose mbylljen e plotë të atyre që nuk plotësojnë standardet minimale.

ME TE LEXUARAT