Divorci nga Ilir Meta, Kryemadhi: Iku nga shtëpia se i kërcënova vjehrrin dhe gruan e Tedi Blushit!

Monika Kryemadhi ka folur sërish për ndarjen nga Ilir Meta, duke zbuluar detaje mbi krizën familjare dhe arsyet që, sipas saj, çuan në divorc.
E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Kryemadhi deklaroi se Meta u largua nga banesa pas akuzave se ajo kishte kërcënuar familjarë të afërt të Tedi Blushit. Sipas saj, pas kësaj periudhe nisën edhe tensionet mes tyre, të shoqëruara me akuza dhe mosbesim.
Ajo u shpreh se dosja për të cilën të dy janë nën hetim ka qenë shkaku kryesor i ndarjes, duke shtuar se në rrethana të tjera ata do të ishin ende bashkë.
Kryemadhi tha gjithashtu se gjatë gjithë kësaj situate ka pasur ndërhyrje për të krijuar mosbesim ndaj saj, jo vetëm nga Meta, por edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij të vjetër.
Në deklaratën e saj, ajo theksoi se zhgënjimi më i madh lidhet me faktin se një marrëdhënie 30-vjeçare, ku sipas saj kishte dhënë maksimumin, u cenua për persona që Meta kishte njohur më vonë në jetën politike.
Sipas Kryemadhit, ana njerëzore e divorcit nuk ka lidhje me vendimet politike, por me zhvillimet personale dhe situatat e krijuara gjatë hetimeve.
"Ai ka ikur nga shtëpia se unë i kam kërcënuar vjehrrin dhe gruan e Tedi Blushit dhe pastaj vazhdoj më tutje. Është thirrur vjehrri i Tedi Blushit në SPAK në mars, pastaj në maj është bërë nëndrejtor i spitalit të burgut dhe mbas atakimit ka filluar agresiviteti, “ti më përgjon, ti më ke shitur, ti je bërë bashkëpunëtor i SPAK” dhe për këtë arsye iku, kaq. E gjitha kjo është.
Kjo tronditi të gjithë marrëdhënien, por tani për mua s’ka më. Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them, ana njerëzore e divorcit tim nuk ka lidhje me vendimet politike qoftë të Ilir Metës personale, apo të mijat. Mënyra se si është ndërtuar dhe unë mendoj që gjithmonë SPAK ka ndërhyrë përmes personave të caktuar, të infiltruar për të krijuar një mosbesim, apo paragjykim të Ilir Metës jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj stafit të tij të vjetër më parë.
Ajo që mua më ka vrarë, është se kur një njeri që ka jetuar 30 vite me mua dhe unë kam bërë çdo gjë, dhe kam dhënë maksimumin, por për atë s’ka qenë, por për mua ka qenë trefishi. Unë jam shumë dakord që mund të më shkelë me këmbë Ilir Meta përballë nënës, babait, motrës së vet, familjarëve të vet, por s’mund të më shkelësh me këmbë dhe të cenosh integritetin tim për një njeri që e ke njohur në presidencë, rrogëtar.
Ne do ishim bashkë. Dosja ka qenë arsyeja e divorcit, kjo është një nga ato deklarata që ai e ka bërë shumë të qartë dhe e ka bërë në një televizion ku faktikisht ato ambiente janë pronë e familjes sime", tha Kryemadhi.


