Dumani "përplaset" me Manjën: Qeveria të mos ndërhyjë në pavarësinë e SPAK me rekomandime të paqarta
Kreu i SPAK, Altin Dumani, mori pjesë sot në tryezën e organizuar për vlerësimin e arkitekturës institucionale të Prokurorisë së Posaçme, me fokus te performanca, integriteti dhe garancitë për pavarësinë e saj.
Në fjalën e tij, Dumani theksoi rëndësinë e balancës mes llogaridhënies dhe mbrojtjes së pavarësisë institucionale.
“Në funksion të pavarësisë së brendshme, si drejtues i SPAK, kam deleguar thuajse të gjitha komunikimet që prokurorët bëjnë me instucionet e tjera. E ndërmora këtë hap duke iu garantuar këtë pavarësi, pra që prokurorët të komunikojnë në mënyrë të pavarur me institucionet e tjera, pa u përfshirë si drejtues i SPAK-ut, përjashtuar në disa momente hetimi.
Dokumenti ka nënvizuar se statusi i Prokurorit pas përfundimit të mandatit mbetet boshllëk që kërkon zgjidhje ligjore. Në raportimet periodike që kemi bërë në Kuvend dhe KLP e kemi ngritur këtë shqetësim dhe vlerësoj se prokurorët e posaçëm meritojnë përgjigje cilado qoftë ajo.
Vlerësoj marrjen në konsideratë të rolit të mbledhjes së prokurorëve në vendimmarrjen institucionale të SPAK. Nuk jam dakord me këtë vlerësim, pjesërisht i përmbushur, por roli faktik i këtij mekanizmi duhet të gjëjë më shumë pasqyrim në raportet vjetore të SPAK”, tha Dumani.
“Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv janë të mirëpritura, por çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë funksionale nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme rrezikon të zhbalancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve.
Në thelb s’kanë rol detyrues për SPAK, por orientues dhe mbështetës. Duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve te pavarura, mund të ruajmë balancën kushtetuese. Vërejtja se ekzekutivi të kufizojë ndikimin në sfera administrative është e drejtë”, shtoi më tej Dumani.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh se pavarësia nuk është një qëllim në vetvete. Sipas tij, pavarësia duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë dhe efektivë të llogaridhënie.
“Siç e thekson me të drejtë edhe Raporti që u prezantua sot, pavarësia nuk është një qëllim në vetvete. Ajo duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë dhe efektivë të llogaridhënies, për të garantuar që fuqia e dhënë institucioneve të drejtësisë të mos kthehet në vetë-referencë, por të shërbejë interesit publik dhe sundimit të ligjit. Në këtë kuadër, koordinimi ndërinstitucional merr një rëndësi të veçantë.
Ministria e Drejtësisë, si pjesë themeltare e kësaj arkitekture ndërinstitucionale, ka një rol të rëndësishëm në garantimin e funksionimit të balancuar të sistemit – për të siguruar që institucionet të kenë burimet, rregullimin dhe mbështetjen e nevojshme për të ushtruar mandatin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të përgjegjshme.
Roli i ekzekutivit në raport me SPAK parashikon aspekte administrative, strategjike dhe mbështetëse, të cilat synojnë të garantojnë funksionimin efektiv të këtij institucioni por ndikuar apo cenuar pavarësinë e tij funksionale dhe vendimmarrëse.
Ky rol shtrihet në fusha të tilla si garantimi i sigurisë fizike dhe personale të prokurorëve dhe ambienteve institucionale, planifikimi dhe mbështetja financiare, ofrimi i rekomandimeve strategjike për orientimin e politikës penale, si dhe ndërveprimi institucional përmes Ministrisë së Drejtësisë si një hallkë lidhëse me Këshillin e Ministrave.
Në tërësi, roli i ekzekutivit ndaj SPAK është i konceptuar si një ndërveprim i kontrolluar institucional, që ndërton një mekanizëm mbështetës pa cënuar kompetencat kushtetuese dhe ligjore të institucionit, duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe garantuar zbatimin e politikave shtetërore në fushën e drejtësisë penale.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një drejtësi që jo vetëm është e pavarur, por edhe që jep llogari për rezultatet e saj. Kjo kërkon transparencë, standarde të qarta etike dhe profesionale, si dhe një kulturë të re institucionale që e sheh llogaridhënien jo si kërcënim, por si pjesë përbërëse të legjitimitetit të saj”, theksoi Manja.”, tha Manja.