S`ndalen zjarret në Delvinë, asfiksohen banorët dhe nënkryetari i Bashkisë
Nënkryetari i bashkisë së Delvinës Filip Xuxi ka përfunduar në urgjencë për shkak të asfiksisë nga tymi pasi zjarret vijojnë të djegin në fshatin Kasapaj.
Nënkryetari i bashkisë shihet i ulur në një karrige në rrota ndërsa po e transportojnë për në spitalin e qytetit.
Në një tjetër foto, ai shihet duke marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, pas asfiksisë së pësuar, ndërsa në krevatin pranë tij shihet gjithashtu një grua e moshuar me të afërmen e saj që i qëndron pranë.
Së bashku me të është edhe një e moshuar 86-vjeçare e cila shoqërohet nga të afërmit.
Fshati Kasapaj po përballet me flakë massive të cilat kanë përfshirë shtëpitë duke rrezikuar edhe jetën e banorëve.
Shumë prej tyre nuk kanë pranuar të largohen pavarësisht thirrjeve për evakuim.
Zjarri rrethon shtëpitë në Kasapaj të Delvinës, flakët përhapen me shpejtësi
Ne lagjen Kasapaj e Delvinës, zjarri ka dalë jashtë kontrollit.
Flakët po u afrohen banesave, ndërsa forcat zjarrfikëse po punojnë pa pushim në terren për neutralizimin e flakëve.
Banorët janë evakuuar nga zonat e rrezikuara, megjithëse disa prej tyre bëjnë rezistencë.
Flakët mbulojnë fshatin në Gramsh, banorët marrin ndihmën e parë!
Situata e zjarrit në Gramsh vazhdon të jetë shumë e vështirë.
Era e ka përhapur zjarrin dhe vatra të reja kanë dalë në zona të ndryshme, duke përfshirë shumë shtëpi dhe bagëti.
Në pamje, shihen momentet kur forcat mjekësore i vijnë në ndihmë personave të cilët arritën të evakuohen nga shtëpitë e tyre, që u përfshinë nga flakët.
Situata e zjarreve në rang vendi
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive.
Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit. Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, duke synuar kufizimin e perimetrit të flakëve pranë zonave të banuara dhe parqeve kombëtare në të gjithë vendin. Nga ajri po operojnë edhe tre helikopterë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë.
Situata në vatrat më problematike:
Qarku Vlorë – Bashkia Delvinë & Finiq
Në Delvinë, zjarri i depërtuar nga Syri i Kaltër ka përfshirë fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhikaq, duke arritur deri pranë kurorës së bashkisë. Flakët u shtrinë nga Vllahati drejt Kakodhiqit, duke shkaktuar djegien e 5 shtëpive, prej të cilave 4 të pabanuara. Në operacione janë angazhuar 36 efektivë zjarrfikës me 5 mjete, 120 trupa të FA, forca të FNSH, Delta, Shqiponjat, policia vendore dhe bashkiake, si dhe 7 autobote uji. Zjarri është zhvendosur mbi fshatin Vllahat, ku po ndërhyhet nga ajri me helikopterë çek dhe sllovak.
Në Finiq, vazhdon aktive vatra që ka prekur zonën nga Syri i Kaltër deri në pllajën e malit të Gjerë dhe Sopotit. Në Bistricë, vatra po mbahet nën monitorim. Në Parkun e Rëzomës, mbi tunelin e Skërficës, zjarri vijon, por terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrje.
Qarku Elbasan – Bashkia Gramsh
Në Kullollas dhe njësinë Skënderbegas, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke përfshirë disa fshatra dhe shkaktuar një viktimë. Janë raportuar dëme në banesa. Situata mbetet e rëndë dhe po ndërhyhet nga ajri. Në Mukaj e Sojnik, zjarri vijon në sipërfaqe me shkurre dhe ferra, me forcat vendore dhe FA në terren.
Qarku Gjirokastër – Bashkia Tepelenë
Në Hormovë, rreziku për banesat është shmangur, por puna për shuarjen vazhdon. Në Turan, flakët janë përhapur drejt Lekelit dhe Koderit, duke djegur dy stalla dhe kafshë. Në terren kanë operuar forca zjarrfikëse, policore, bashkiake, vullnetare dhe ushtarake, si dhe helikopterë çek e sllovak.
Qarku Shkodër – Bashkia Fushë Arrëz
Në Xeth, vatra po digjet në një zonë me pisha. Janë angazhuar forca të shumta nga FA, MZSH, policia dhe shërbimi pyjor. Situata paraqitet më e qetë, por puna vijon për izolimin e plotë.
Qarku Tiranë
Në malin e Bërzhitës dhe fshatin Durishtë, zjarri është mbajtur nën kontroll me ndërhyrje nga ajri dhe toka. Në zonën Arbanë (Damjan e Isufaj), flakët morën përmasa të mëdha dhe u ndërhy me helikopter kroat. Në Ferraj dhe Zall-Herr, vatrat po mbahen nën monitorim, ndërsa në Kryevidh të Rrogozhinës janë djegur rreth 100 ha dhe dy shtëpi të pabanuara.
Qarku Dibër
Në malin me Gropa, Biz të Martaneshit, zjarri vazhdon në zonë të mbrojtur, larg banesave. Në Ternovë, operacioni vazhdon me forca vendore dhe të FA.
Qarku Korçë – Bashkia Kolonjë
Në Gërmenj, zjarri në pyjet me pisha zhvillohet në terren të vështirë, me shpërthime municionesh në perimetrin e flakëve. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë është e vështirë dhe po mbahet nën mbikëqyrje.
Puna po vijon ndërkohë edhe në vatrat, ku nuk ka rrezik për banesa apo gjënë e gjallë.
Parashikimi i motit dhe rrezikshmëria për zjarre
Sipas të dhënave meteorologjike, vendi pritet të përballet me temperatura të larta dhe erëra të forta në orët e mesditës, çka rrit rrezikun për riaktivizimin dhe përhapjen e vatrave ekzistuese, si dhe krijimin e zjarreve të reja. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re.