Gara drejt finales! SPAK njofton 7 kandidatët që duan të marrin “kontrollin” e BKH-së
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar dhe fazën tjetër në të cilën duhet të kalojnë kandidatët të cilët aspirojnë të vendosen në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Andi Pogaçe; Artur Beu; Elton Kërluku; Gentian Ndoi; Gentjan Shehaj; Gledis Nano dhe Joni Keta, të shtatë kandidatët do t’iu duhet që të paraqiten mëngjesin e 22 korrikut, në orën 09:00, në zyrat qendrore të SPAK ku dhe pritet t’i nënshtrohet provimit të esesë.
Më 11 korrik, të gjithë kandidatët u paraqitën në ambientet stërvitore të repartit RENEA ku dhe iu nënshtruan fazës së tretë, atij të testimit fizik.
Ndër ushtrimet që aspirantët për postin e drejtorit të BKH-së iu nënshtruan ishin: vrapimi, pompat, ushtrime të ndryshme fizike, etj.
Pas kalimit në disa faza testimi dhe vlerësimi, komisioni i ngritur pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) pritet që së shpejti t’i dërgojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë emrin e kandidatit të përzgjedhur për postin e kreut të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Komisioni i përzgjedhjes në SPAK përbëhet nga kreu i institucionit, Altin Dumani, si dhe prokurorët Arben Kraja dhe Behar Dibra.
Pas përfundimit të procedurave të vlerësimit, emri i përzgjedhur do t’i propozohet zyrtarisht Këshillit të Lartë të Prokurorisë për emërim.