Gjykata pezullon nga detyra drejtorin e Arsimit Parauniversitar Durrës! Për çfarë akuzohet

Aktualitet

Gjykata pezullon nga detyra drejtorin e Arsimit Parauniversitar Durrës!

Gjykata e Durrësit ka vendosur të mbajë në fuqi masën ndaluese të sigurimit “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar në Durrës, Hazbi Lika, i cili është nën hetim për veprën penale të “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

DRAP Durrës mbulon përveç tri bashkive të qarkut Durrës edhe bashkitë Bulqizë, Dibër, Mat e Klos.

Vendimi është marrë më 28 qershor nga gjyqtari Rexhep Bekteshi, i cili ka konfirmuar vlefshmërinë e masës së sigurimit penal, duke vlerësuar se janë respektuar të gjitha kushtet e nevojshme ligjore për zbatimin e saj, në përputhje me nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale.

Sipas vendimit, pezullimi nga detyra i të pandehurit Lika konsiderohet i domosdoshëm për mbarëvajtjen e hetimeve, për të shmangur ndikimin e tij të mundshëm në procesin hetimor apo te vartësit në institucionin që drejtonte. Masa ndaluese u vendos pas verifikimeve paraprake të Prokurorisë, që dyshon se Hazbi Lika ka konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës në ushtrimin e funksioneve të tij si drejtues i DRAP Durrës.

Në vendimin e tij, gjyqtari Bekteshi vendosi se pezullimi nga detyra do të vazhdojë të jetë në fuqi, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës ose ndonjë ndryshim të rrethanave ligjore që do të justifikonte heqjen e masës. Ndërkohë, hetimet për çështjen ndaj Hazbi Likës janë në vijim nga organi i akuzës mbi praktikat a vendimet e dyshuara si të paligjshme dhe që kanë çuar në ngritjen e kësaj akuze.

ME TE LEXUARAT