Goditet një bazë prostitucioni në Qerret të Kavajës! Arrestohen 2 kineze dhe procedohen 6 ‘klientë’ shqiptarë
Dy shtetase kineze, një 42-vjeçe dhe tjetra 41-vjeçe, kanë rënë në prangat e Policisë së Durrësit, të dyshuara për veprën penale të ushtrimit të prostitucionit.
Po ashtu, nga hetimet rezultoi se dy shtetaset e huaja kishin marrë me qira një apartament në Qerret dhe përmes komunikimeve në rrjetet sociale, siguruan klientë, duke ofruar shërbime seksuale kundrejt vlerave monetare nga 80 deri në 200 euro.
"DVP Durrës-Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e rasteve të prostitucionit. Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, pas një hetimi dyjavor me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Baza”.
Goditet një bazë prostitucioni në Qerret të Kavajës. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, pas një hetimi intensiv dhe të mirëorganizuar, finalizuan operacionin policor të koduar “Baza”, në kuadër të të cilit u dokumentua dhe u godit një rast i ushtrimit të prostitucionit", njofton policia.