Dhunë, zjarr dhe konflikt pronësie në Kavajë, reagon Policia e Durrësit: Procedohen disa persona

Aktualitet

Dhunë, zjarr dhe konflikt pronësie në Kavajë, reagon Policia

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale nga një avokat, duke sqaruar rrethanat e ngjarjeve të paraqitura në pamje.

Sipas policisë, pjesa e parë e videos i përket një ngjarjeje të ndodhur më 22 dhjetor 2025 në Golem, ku dy shtetas, të identifikuar me inicialet D. Sh. dhe B. M., dyshohet se kanë goditur me grushte dhe shkelma shtetasin R. A., pas një konflikti për motive pronësie. Për rastin është nisur procedim penal në gjendje të lirë.

Ndërsa pjesa e dytë e videos lidhet me shoqërimin e një 69-vjeçareje, shtetases Sh. A., e cila dyshohet se më 4 maj 2026 i ka vënë flakën një kontejneri të një subjekti ndërtimi në pronësi të shtetasit A. L.

Policia bën me dije se gjatë shoqërimit, e moshuara ka kundërshtuar efektivët, duke i goditur dhe kafshuar, çka ka sjellë nisjen e procedimit penal ndaj saj për veprat “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.

Gjithashtu, autoritetet kanë referuar në Prokurori edhe dy raste të tjera të lidhura me konfliktin, përfshirë një kallëzim për pronësi dhe një tjetër për dëmtim të rrethimit të një kantieri ndërtimi.

Policia e Durrës deklaroi se mbetet e angazhuar për trajtimin me profesionalizëm të çdo denoncimi dhe shkeljeje të ligjit.

Njoftimi i Policisë:

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës

Në lidhje me një video të publikuar në llogarinë në Facebook të shtetasit A. Ll., me profesion avokat, sqarojmë se menjëherë, u kryen veprimet e nevojshme verifikuese mbi pamjet dhe ngjarje të tjera që lidhen me rastin e shfaqur në to.

-Nga këto verifikime rezultoi se pjesa e parë e videos së publikuar paraqet një ngjarje të ndodhur vitin e kaluar, për të cilën, më datë 22.12.2025, janë referuar materialet në Prokurori, ku është vendosur procedimi penal në gjendje të lirë, për shtetasit që shfaqen në video, D. Sh. dhe B. M., pasi dyshohet se më datë 22.12.2025, rreth orës 12:30, në Golem, Kavajë, kanë goditur me grushte dhe me shkelma, shtetasin R. A., me pretendimin se ky i fundit i ka fyer gjatë konfliktit për motive pronësie.

-Pjesa e dytë e videos së publikuar lidhet me shoqërimin e nënës së shtetasit R. A., shtetases Sh. A., 69 vjeçe, pasi më datë 04.05.2026, Policia e Kavajës është njoftuar se e moshuara kishte spërkatur me lëndë djegëse, dhe më pas kishte ndezur, një kontejner të një subjekti ndërtimi, në pronësi të shtetasit A. L.. Në momentin e shoqërimit, kjo shtetase ka kundërshtuar me forcë, punonjësit e Policisë, duke i goditur dhe kafshuar.
Në këto kushte, me qëllim shmangien e konfliktit të interesit, veprimet procedurale për këtë rast janë kryer nga oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ku ka filluar procedimi në gjendje të lirë, për shtetasen Sh. A., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Më tej, informojmë se janë referuar materialet procedurale në Prokurori dhe për 2 raste të tjera të lidhura, konkretisht:
-më datë 24.03.2026, ka kallëzuar te Komisariati i Policisë Kavajë, shtetasja Sh. A., se i kishin marrë në mënyrë të padrejtë, pronën, duke e shmangur si trashëgimtare;
-më datë 15.04.2026, ka kallëzuar shtetasi E. M., se shtetasja Sh. A. kishte shkatërruar rrethimin e kantierit të ndërtimit që administron ai.

Policia e Durrësit garanton qytetarët se është maksimalisht e angazhuar, për të trajtuar shpejt dhe me profesionalizëm, çdo indicie, njoftim dhe denoncim për paligjshmëri ose shkelje të të drejtave të tyre.

 

ME TE LEXUARAT