Detaje nga operacioni ndaj Call Centerave në Tiranë, lëshohen 8 masa sigurie! Dyshohet për dekonspirim

Prokuroria e Tiranës ka zhvilluar një operacion të gjerë ndaj tre call center-ave në kryeqytet, duke zbuluar detaje të reja nga aksioni që çoi në disa arrestime dhe sekuestrimin e shumave të konsiderueshme parash.
Sipas burimeve, një nga subjektet e goditura ndodhej në Rrugën e Kavajës, ndërsa një tjetër pranë Kopshtit Zoologjik. Operacioni është realizuar në bashkëpunim me autoritetet austriake, në kuadër të një hetimi që ka nisur prej dy vitesh. Urdhër-arrestet janë lëshuar me vendim gjykate.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se deri më tani janë caktuar 8 masa sigurie dhe për momentin janë 4 persona të arrestuar, ndërsa hetimet vijojnë edhe për persona të tjerë të përfshirë.
Vetëm në call center-in në Rrugën e Kavajës janë konstatuar mbi 60 punonjës, të cilëve u janë sekuestruar celularët dhe po merren në pyetje për veprime të mëtejshme hetimore. Burimet bëjnë me dije se për një pjesë të tyre pritet të ketë procedim në gjendje të lirë.
Ndërkohë, në të njëjtin ambient, që operonte në tre kate, dy prej kateve janë gjetur të mbyllura në momentin e ndërhyrjes, duke ngritur dyshime për një dekonspirim të mundshëm të aksionit policor. Në katin tjetër janë gjetur operatorët që vijonin aktivitetin.


