I penduari i drejtësisë tregon njohjen me Laert Haxhinë: Për atentatet me tritol më jepte 1 mijë €, më pyeti...

Gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), i akuzuari Laert Haxhiu ka refuzuar të përballet në sallën e gjyqit me Artan Tafanin, i cili tashmë ka marrë statusin e të penduarit të drejtësisë.
Tafani, dikur pjesë e grupit të drejtuar nga Haxhiu, ka dëshmuar përpara trupit gjykues, duke rrëfyer mënyrën se si është njohur me të dhe disa nga veprimet kriminale që, sipas tij, i ka kryer me urdhër të tij.
Në deklarimet e tij, ai ka treguar se kontakti i parë me Haxhiun është bërë përmes një të njohuri nga Lushnja, ndërsa takimi është organizuar në zonën e Dajtit nga Lulzim Arapi. Sipas Tafanit, gjatë këtij takimi, Haxhiu i ka kërkuar të tregojë çfarë aftësish kishte, pasi ishte informuar më parë për përfshirjen e tij në vjedhje me dhunë. Për këtë bashkëpunim fillestar, ai pretendon se është paguar me rreth 1 mijë euro.
Më tej, Tafani ka rrëfyer se një nga detyrat që i është besuar ka qenë vendosja e një sasie eksplozivi në një banesë në Lushnjë, në pronësi të një personi të identifikuar si Erjon Çoku. Sipas tij, udhëzimet i janë dhënë drejtpërdrejt nga Haxhiu, ndërsa lënda plasëse i ishte siguruar nga një tjetër person. Për këtë veprim, ai pretendon se ka marrë një shumë të vogël parash.
Ai ka deklaruar gjithashtu se ka udhëtuar nga Korça drejt Lushnjës dhe gjatë orëve të vona të natës ka vendosur eksplozivin, për t’u larguar më pas menjëherë nga vendngjarja.
Në dëshminë e tij, Tafani ka lidhur ngjarjen me një konflikt të dyshuar për trafik droge, duke pretenduar se personi në fjalë kishte marrë lëndë narkotike dhe nuk kishte shlyer detyrimet financiare.


