I zbulohet laboratori i drogës në Milano, arrestohet 49-vjeçari shqiptar!
Policia e Shtetit në Milano, nën koordinimin e Prokurorisë së Monzës, ka arrestuar një shtetas shqiptar 49-vjeçar, i cili akuzohet për prodhim dhe trafikimin e mbi 6 kilogramëve lëndë narkotike (kokainë dhe heroinë)
Veprimtaria hetimore, e zhvilluar nga agjentët e Njësisë Hetimore të Komisariatit të Milanos, nisi pas verifikimit të një sinjalizimi anonim mbi lëvizje të dyshimta pranë një ndërtese në Cologno Monzese (në provincën e Milanos), ku sipas informacioneve, një person shfaqej rregullisht në një apartament dhe largohej me çanta në dorë.
Pas disa ditësh vëzhgimi, pasditen e së martës së kaluar, policia ndaloi 49-vjeçarin dhe gjatë kontrollit fizik i gjeti 30 gramë kokainë si dhe substanca të tjera që zakonisht përdoren për përzierjen e drogës. Gjithashtu, ai kishte me vete çelësat e një apartamenti tjetër, ku u krye më pas një kontroll i zgjeruar.
Brenda apartamentit, agjentët zbuluan një laborator të mirëfilltë për përgatitjen e lëndëve narkotike. U sekuestruan mbi 4 kg kokainë, 2 kg heroinë, 20 kg substancë për përzierje, detergjentë dhe peshore precize. Lënda narkotike ishte ndarë në qese dhe blloqe të presuara, të pajisura me vula dhe stampime, të përgatitura me mjete specifike të pranishme në banesë.
Gjatë një kontrolli të mëvonshëm në banesën e të arrestuarit, e cila ndodhet në lagjen Lorenteggio të Milanos, policia sekuestroi edhe mbi 50 mijë euro të dyshuara si përfitim nga veprimtaria e paligjshme e trafikut të drogës