Janari solli rritje të lehtë të primeve të sigurimeve, por më pak kontrata për Jetën

Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka vijuar trendin e rritjes edhe gjatë muajit janar të këtij viti, megjithëse me ritme të moderuara.
Sipas raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vëllimi i primeve të shkruara bruto arriti në 2 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 2,45% krahasuar me janarin e vitit 2025. Në terma absolutë, tregu u zgjerua me rreth 48,5 milionë lekë.
Ndërkohë, numri i kontratave arriti në 118.431, me një rritje minimale prej 0,07% në baza vjetore, duke reflektuar një ngadalësim të zgjerimit të bazës së klientëve krahasuar me ritmin e rritjes së primeve.
Segmenti i sigurimeve të Jo-Jetës mbetet dominues në treg, duke gjeneruar 1,8 miliardë lekë prime, ose rreth 90,8% të totalit. Ky segment regjistroi një rritje prej 2,91%. Ndërsa numri i kontratave në këtë segment u rrit lehtë me 0,14%, duke arritur në 106.670 të tilla.
Në të kundërt, segmenti i sigurimeve të Jetës shfaqi një ecuri më të dobët. Vëllimi i primeve zbriti në 186,48 milionë lekë, me një tkurrje prej 1,08%, ndërsa numri i kontratave ra me 0,52%, duke arritur në 11.758.
Sa i përket dëmeve, gjatë janarit 2026 janë paguar gjithsej 638,8 milionë lekë, duke shënuar një rënie prej 6,96% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe numri i dëmeve të paguara pësoi një ulje të lehtë, duke zbritur në 6009 raste, nga të cilat pjesa dërrmuese, 5723 dëme, i përkasin segmentit Jo-Jetë, ndërsa 286 dëme segmentit të Jetës./ORA


