“Jemi krenarë!” Akuzohen se i shkaktuan dëm shtetit për 20 vite, reagon “Bankers”: Investuam 4.5 miliardë dollarë në Shqipëri
Kompania Bankers Petroleum Albania ka “thyer heshtjen” duke reaguar për herë të parë lidhur me aksionin e një ditë më parë ku Prokuroria e Fierit e akuzon se ka shmangur për 20 vite me radhë tatimet.
Përmes një deklarate për mediat, “Bankers” thotë se prej vitesh me radhë kanë qëndruar krah për krah me Shqipërinë, në fuqizimin e së ardhmes së saj energjitike dhe se prej vitit 2004 kanë investuar në vendin tonë 4.5 miliardë dollarë.
Teksa vënë në pah krenarinë e tyre lidhur me kontributin që kanë dhënë në Shqipëri, kjo shoqëri ka “hapur bllokun” duke njoftuar se është shteti shqiptar ai i cili është në “borxh” me të.
Sipas tyre kompania vazhdon të ketë të pashlyera pranë autoriteteve tatimore, rimbursime të TVSH-së në vlerën mbi 36 milionë dollarë.
“Për njëzet e një vjet, Bankers Petroleum Albania (BPAL) ka qëndruar krah për krah me Shqipërinë në fuqizimin e së ardhmes së saj energjetike. Që prej vitit 2004, operacionet tona kanë sjellë vlera të prekshme: kemi investuar 4.5 miliardë dollarë në ekonominë shqiptare; kemi siguruar 83% të prodhimit kombëtar të naftës bruto; dhe kemi mbështetur më shumë se 1,500 familje lokale përmes punësimit cilësor.
Jemi krenarë në mënyrë të përulur që kemi kontribuar me 730 milionë dollarë në rentën minerare (68.9% e totalit të Shqipërisë) për zhvillimin e sektorit energjetik, 40 milionë dollarë për mbrojtjen e mjedisit dhe 10 milionë dollarë për forcimin e komuniteteve – një trashëgimi që e konsiderojmë të shenjtë. Ndërkohë, kompania vazhdon të ketë të pashlyera pranë autoriteteve tatimore, rimbursime të TVSH-së (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) në vlerën mbi 36 milionë USD”, thuhet në deklaratën e Bankers.
Në vijim të këtij reagimi, kompania ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare dhe se aktualisht janë në gazën e procesit të emërimit të një përfaqësuesi të lartë me qëllim për të garantuar bashkëpunim të plotë dhe transparencë operacionale.
“Në përgjigje të hetimeve të fundit rregullatore, BPAL dhe kompania jonë mëmë, BPL, janë të përkushtuara të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet shqiptare. Jemi në proces të emërimit të një përfaqësuesi të lartë për të garantuar një bashkëpunim të plotë dhe transparencë operacionale.
Respektojmë dhe mbështesim të gjitha masat ligjore për të ruajtur standardet rregullatore dhe të integritetit në Shqipëri. Deri më tani, operacionet tona mbeten të qëndrueshme, ekipi ynë bazë është i plotë dhe aktivitetet tona të përditshme vazhdojnë pa ndërprerje të mëdha”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Rreagimi i plotë:
Për njëzet e një vjet, Bankers Petroleum Albania (BPAL) ka qëndruar krah për krah me Shqipërinë në fuqizimin e së ardhmes së saj energjetike. Që prej vitit 2004, operacionet tona kanë sjellë vlera të prekshme: kemi investuar 4.5 miliardë dollarë në ekonominë shqiptare; kemi siguruar 83% të prodhimit kombëtar të naftës bruto; dhe kemi mbështetur më shumë se 1,500 familje lokale përmes punësimit cilësor. Jemi krenarë në mënyrë të përulur që kemi kontribuar me 730 milionë dollarë në rentën minerare (68.9% e totalit të Shqipërisë) për zhvillimin e sektorit energjetik, 40 milionë dollarë për mbrojtjen e mjedisit dhe 10 milionë dollarë për forcimin e komuniteteve – një trashëgimi që e konsiderojmë të shenjtë. Ndërkohë, kompania vazhdon të ketë të pashlyera pranë autoriteteve tatimore, rimbursime të TVSH-së (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) në vlerën mbi 36 milionë USD.
Që pas blerjes nga aksionerët e mëparshëm në vitin 2016, ekipi ynë i ri drejtues ka integruar ndershmërinë në çdo aspekt të operacioneve të BPAL. Kemi dëshmuar angazhimin tonë ndaj partneritetit përmes prokurimeve më transparente, përputhshmërisë më rigoroze me ligjet dhe uljes së ndjeshme të mosmarrëveshjeve.
Në përgjigje të hetimeve të fundit rregullatore, BPAL dhe kompania jonë mëmë, BPL, janë të përkushtuara të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet shqiptare. Jemi në proces të emërimit të një përfaqësuesi të lartë për të garantuar një bashkëpunim të plotë dhe transparencë operacionale. Respektojmë dhe mbështesim të gjitha masat ligjore për të ruajtur standardet rregullatore dhe të integritetit në Shqipëri. Deri më tani, operacionet tona mbeten të qëndrueshme, ekipi ynë bazë është i plotë dhe aktivitetet tona të përditshme vazhdojnë pa ndërprerje të mëdha.
Jemi të përkushtuar të vazhdojmë të shërbejmë klientët dhe partnerët tanë. Duke parë përpara, BPAL mbetet e vendosur në qëllimin e saj për të garantuar stabilitetin energjetik të Shqipërisë përmes operacioneve të besueshme, thellimit të rrënjëve në punësimin lokal dhe investimeve në komunitet, si dhe duke nderuar besimin që Shqipëria na ka dhënë që prej vitit 2004.
Ne ecim përpara me përkushtim për të përmbushur përgjegjësitë tona ndaj Shqipërisë me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri të vazhdueshme.
Kujtojmë se paraditen e kësaj të enjte Prokuroria e Fierit doli me një reagim zyrtar njoftoi se lidhur me këtë operacion janë lëshuar 14 masa sigurie për punonjësit e Bankers, ku deri më tani janë ekzekutuar 9 masa, ndërkohë që po punohet për arrestimin e 5 personave të tjerë të cilët janë shpallur në kërkim.
Prokuroria njoftoi se gjatë hetimeve është arritur që të grumbullohen prova të mjaftueshme për të evidentuar skemën e mashtrimit që kompania në fjalë ka bërë përgjatë 20 viteve të fundit.
Hetimi që çoi në këtë operacion u zhvillua për një periudhë 6-mujore, pas referimit të materialeve nga Drejtoria e Hetimit Tatimor. Sipas Prokurorisë së Fierit, hetimi është kryer me metoda proaktive dhe në bashkëpunim të ngushtë me strukturat tatimore dhe policore.
Sipas Prokurorisë së Fierit, “Bankers Petroleum” dyshohet se gjatë gjithë periudhës 20-vjeçare të aktivitetit të saj ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet, me qëllim që në bilancet vjetore të rezultonte me humbje.
Kjo skemë i ka mundësuar kompanisë të shmangë pagesën e tatim-fitimit, ndërkohë që ka përfituar rimbursime të pajustifikuara të TVSH-së, duke i shkaktuarbuxhetit të shtetit miliona lekë dëm.
Në njoftimin e këtij institucioni të drejtësisë mësohet se shoqëria “Bankers Petroleum Albania”, ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë.
Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë.
Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.
Lidhur me këtë operacion u lëshuan 14 masa sigurie, ku 9 prej të cilave u ekzekutuan, ndërsa polica po vijon punën për ekzekutimin e 5 masave të tjera. Në pranga ra numri 1 i kompanisë Hongping Xiao, i cili prej vitesh drejtonte aktivitetin e Bankers Petroleum si dhe ish-drejtuesi i saj, Leonidha Çobo.
Mes të arrestuarve rezulton të jetë edhe ish-drejtuesi i sektorit të financës, Ardit Kero, i njohur ndryshe si ish-bashkëshorti i moderatores Arbana Osmani. Ardit Kero është i dyshuar si personi kyç në skemën e evazionit fiskal dhe pastrimit të parave, aktivitete këto të paligjshme të dyshuara se janë ushtruar nga kjo kompani.
Gjithashtu, me kërkesë të Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, u ushtruan kontrolle në disa ambiente të kësaj kompanisë si dhe në banesat private të shtetasve për të cilët u lëshuan masat e sigurisë.
“Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fuer dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, janë ushtruar kontrolle në disa ambiente të kompanisë si dhe në banesa private, nga ku janë sekuestruar sende që i përkasin veprave penale dhe u ekzekutuan 9 (nëntë) masa sigurimi personal me karakter shtrëngues, ndaj Administratorit aktual të shoqërisë H.X, ish- administratorit të kompanisë të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, L.Ç, si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, me pozicione drejtuese në këtë kompani.
Ndërsa u shpallën në kërkim 5 (pesë) shtetas, kryesisht të huaj. Ndërhyrja në këtë fazë të hetimit, lidhet me rrezikun e prishjes së provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë.