“Kemi arsye të jemi krenarë për paraardhësit tanë...”/ Rama: Me të huajt jemi më të mirë se me njëri-tjetrin

Aktualitet

“Kemi arsye të jemi krenarë për paraardhësit

Kryeministri Edi Rama i është ofruar publikut sërish me një libër. Këtë herë ai ka shkruar “Në Sofrën e Hënës, një përmbledhje e fjalimeve që ka mbajtur gjatë darkave të Iftarit. Gjatë një interviste me Monika Stafën në “Exclusive” në Top Channel, ai ka folur më shumë për librin dhe të tjera.

I pyetur nëse shqiptarët janë aq të vlefshëm dhe aq cilësorë sa të meritojnë të jenë partnerë të konsoliduar brenda familjes europiane, Edi Rama thotë se çdo komb ka forcat e veta të dritës dhe ato të errësirës.

Megjithatë sipas tij, ka një arsye përse shqiptarët duhet të jenë krenarë për paraardhësit e tyre: “mënyra se si kanë arritur të qëndrojnë dhe të mbijetojnë ndërkohë që janë kërcënuar dhe jo një herë nga shpërbërja, nga tretja, nga asimilimi”, shprehet Rama.

Pjesë nga intervista:

Stafa: Në fjalimet tuaja vlerësoni shumë shqiptarët, aq sa shpesh herë mendon se e teproni, duke kritikuar edhe këtë klubin evropian që nuk na sheh aq të dashur, aq si partnerë konsolidues e integrues shkruani ju. Vërtet besoni që shqiptarët janë aq të vlefshëm dhe aq cilësorë sa meritojnë të jenë partnerë konsolidues brenda kësaj familjeje të madhe sic është Evropa? Nga ju vjen ky besim?

Edi Rama: Nuk e di ekzaktësisht se a i vlerësoj shumë shqiptarët në kuptimin e përgjithshëm, sepse unë nuk besoj tek vlerësimet e përgjithshme të popujve, të kombeve. Them se çdo komb ka forcat veta të dritës dhe forcat e veta të errësirës. Çdo komb ka njerëzit e vet të jashtëzakonshëm, ka njerëz të zakonshëm që në përgjithësi janë njerëz shumë të ngjashëm në qenien e tyre pavarësisht ngjyrës së lëkurës, pavarësisht gjuhës, pavarësisht gjeografisë. Por në ndonjë aspekt mendoj që ne kemi arsye për të qenë krenarë për paraardhësit tanë. Dhe një nga këto aspekte është mënyra se si paraardhësit tanë kanë arritur të qëndrojnë dhe të mbijetojnë ndërkohë që janë kërcënuar dhe jo një herë nga shpërbërja, nga tretja, nga asimilimi. Një tjetër është mënyra se si paraardhësit tanë mbrojtjen e hebrenjve e kanë bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore..kjo është diçka unike. Dhe ajo që e bën unike është fakti që është e krahasueshme, pra e bënë shqiptarët por nuk e bënë shumë popuj dhe kombe të tjera. Por dhe pastaj mënyra se si njerëz, shqiptarë të caktuar në histori, ia kanë dalë të bëjnë gjëra që në atë kohë që i kanë bërë janë dukur totalisht të pamundura. Pra, unë nuk besoj dhe shpresoj që të mos e idealizoj popullin tonë, sepse kjo nuk ndihmon. Por nga ana tjetër i jam mirënjohës fatit që jam shqiptar dhe nuk jam diçka tjetër. Dhe nëse do zgjidhja, prapë do zgjidhja të isha shqiptar.

Stafa: Pjesën e bashkëjetesës fetare e përmend vazhdimisht, jo vetëm si propagandë, por dhe si vlerë të shtuar tonën, si thesar kulturor. Kur e flisni në arenën ndërkombëtare, ju shohin me skepticizëm a me dyshim?

Edi Rama: Unë e përmend dhe mbase duhet ta përmend edhe më shumë, sepse unë e konsideroj njëkohësisht një sistem shumë të rëndësishëm sigurie për paqen, për vazhdimësinë e patrazuar të popullit tonë, sepse janë të panumërta rastet kur larmia fetare e një bashkësie ka krijuar plagë të jashtëzakonshme, ka sjellë vdekje, ka sjellë shkatërrim, ka sjellë trazira të pashërueshme. Dhe është si diçka e jashtëzakonshme që kur e ke nuk e vlerëson. Ka shumë gjëra të jashtëzakonshme që ne i kemi dhe nuk i vlerësojmë. Njeriu nuk është i prirur t’i vlerësojë ato që ka. Ne nuk jemi të prirur as ta imagjinojmë se mund të zgjohesh në mëngjes dhe mund të mos shohësh më, dhe e marrim të mirëqenë që patjetër kur zgjohesh në mëngjes mund të shohësh dritën. Por sa njerëz ka që vetëm për të parë njëherë dritën do ishin në gjendje që të jepnin jetën, sepse janë të verbër. Ne nuk e vlerësojmë kur zgjohemi, që kemi përpara ditën, që në thjeshtësinë e vet, apo me gjërat që ka që ne na duken të zakonshme, që kemi familjen, që kemi shtëpinë, që kemi miqtë, që mund të ulemi në një tryezë që mund të ushqehemi dhe të flasim për diçka, që sa njerëz do ishin ata që vetëm për këtë ditë do jepin gjithë jetën? Sa të duash. Pra, nga më të thjeshtat deri tek ato që janë më të ndërlikuara, kur i kemi nuk i vlerësojmë. Por nuk duhet asnjëherë ta harrojmë dhe unë asnjëherë nuk e harroj, se çfarë ferri do ishte Shqipëria sikur kjo vllazëri, apo kjo harmoni fetare siç e quajti Papa Françesku kur erdhi këtu, të shpërbëhej dhe në vend të saj të ishte mosdakordësia, konflikti, lufta, do ishte një llahtar. Ndërsa të huajt, besoj që tani e kanë perceptuar dhe e kanë bërë të veten një pamje për Shqipërinë që është shumë më afër realitetit, se sa pamja që kishin deri jo shumë vite më parë, kur na respektonin formalisht, kur as na besonin dhe as na vlerësonin. Dhe ndërkohë përsëri kanë nevojë të dëgjojnë më shumë për vllazërinë, për harmoninë fetare, për çfarë kemi bërë ne për hebrenjtë, për sa shumë jemi ne të përkushtuar ndaj perëndimit, për sa shumë kemi hequr ne si komb dhe si vend nga e kaluara, nga diktatura, për se si e kemi mësuar gjithçka në ekstrem për shkak të faktit që ishim në anën e gabuar të historisë, kur u izoluam dhe u rreshtuam me diktatorët, me gjakatarët e botës. Janë gjëra që duhet t’i ndihmojmë që t’i shohin dhe t’i dijnë për ne.

Stafa: Sa të mirë janë shqiptarët me të huajt dhe me njëri-tjetrin?

Edi Rama: Me të huajt janë më të mirë se me njëri-tjetrin. Kjo nuk diskutohet. Por jo me të huajt thjesht me ata që flasin gjuhë tjetër, por dhe me të huajt që trokasin në derë, pra dhe me të panjohurit që flasin shqip e janë shqiptarë, janë më të mirë.

Stafa: Nga vjen kjo?

Edi Rama: Nuk është diçka që është tipike shqiptare, e kanë shumë popuj besoj dhe nuk është diçka që… Ajo që na bën ne pak më tërheqës në kuptimin negativ në këtë aspekt, është se e kemi më të bujshme, e kemi më të zhurmshme, e kemi më brutale mënyrën se si sillemi me njëri-tjetrin ndërkohë që të tjerët mund të ushqejnë po atë ndjenjë pakënaqësie për tjetrin, por nuk e shprehin kaq brutalisht. Unë besoj që kjo është agravuar sidomos nga izolimi dhe pastaj edhe nga poshtërimi. Por nuk është diçka tipike shqiptare besoj.

ME TE LEXUARAT