Në të paktën shtatë intervista të dhëna sot, Donald Trump ka vijuar me kërcënimet ndaj Iranit

Bota

Në të paktën shtatë intervista të dhëna sot,

Të dielën (05/04), presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, rriti presionin ndaj Iranit, duke kërcënuar përmes një postimi të ri në rrjetet sociale se të martën do të goditen centralet elektrike dhe urat iraniane, nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet. Ai gjithashtu dha të paktën shtatë intervista telefonike për mediat, duke përsëritur kërcënimet.

“Të martën në Iran do të jetë dita e centraleve elektrike dhe urave, të gjitha bashkë. Nuk do të ketë asgjë të ngjashme!!!”, shkroi Trump në një postim në Truth Social, duke iu referuar kësaj rruge jetike detare, e cila sipas tij është bllokuar nga Teherani që prej sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit mbi Iranin më shumë se një muaj më parë.

“Hapeni Ngushticën, të çmendur, ose do të jetoni në ferr – DO TA SHIHNI!”, shtoi ai, duke e mbyllur postimin e së dielës me fjalët: “Lavdi Allahut”.

Më pas, presidenti dha edhe një afat më të saktë në një tjetër postim: “Të martën, ora 20:00, sipas orës së bregut lindor!”.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj pyetjeve nëse Trump i referohej një momenti konkret kur SHBA mund të ndërmarrë sulm ndaj Iranit.

“Do të hedhim në erë të gjithë vendin”

“Shpëtimi ishte një mrekulli e Pashkëve”, tha Trump në një mesazh për NBC News, përpara se të nisej drejt klubit të tij të golfit në Uashington. “Një operacion i tillë nuk kishte ndodhur kurrë më parë në një territor kaq armiqësor”.

Në të paktën shtatë intervista të dhëna të dielën, Trump vijoi me retorikën kërcënuese ndaj Iranit, duke kërkuar njëkohësisht edhe lëshime. Ai deklaroi për Fox News se Irani ishte në negociata dhe se një marrëveshje mund të arrihej të hënën, por në të kundërt, SHBA do të “merrte nën kontroll” naftën e vendit.

Në një intervistë për ABC News, ai u shpreh se konflikti duhet të përfundojë brenda pak ditësh, jo javësh, por në të kundërt “do të hedhim në erë të gjithë vendin”, duke theksuar se pothuajse çdo opsion mbetet i hapur.

Presidenti njoftoi gjithashtu se të hënën do të mbajë një konferencë për shtyp me forcat ushtarake amerikane nga Zyra Ovale.

Kujtohet se javën e kaluar Trump kishte deklaruar se SHBA do të ndërmerrte sulme ndaj Iranit brenda dy deri në tre javësh dhe se ishte pranë arritjes së objektivave kryesore strategjike në këtë konflikt.

Megjithatë, që nga nisja e operacionit më 28 shkurt, ai ka deklaruar vazhdimisht se Irani synon një marrëveshje, ndonëse udhëheqja e tij nuk ka treguar gatishmëri për t’iu përmbajtur kërkesave të Uashingtonit.

 

ME TE LEXUARAT