“Kompaninë e shita se doja të hapja palestër”/ “Dosja 5D”, dëshmon ish-pronari i “Igor Electric”: Me Redi Mollën pinim ndonjë birrë te lagjja…

Aktualitet

“Kompaninë e shita se doja të hapja palestër”/

Ish-pronari i IGOR Electric, Eduard Meta, dëshmoi sot në seancën e radhës për “Dosjen 5D”.

Meta u pyet nga prokurori i SPAK, Klodian Braho. Ai tha se kompaninë e ka rritur gradualisht dhe ka qenë i vetëm si administrator i “IGOR Electric”, por më pas ia shiti me një vlere modeste Petrit Muhametit, sepse “nuk e donte më dhe donte të bënte një palestër”. Ai tha se ka bërë punë publike me OSHEE e Bashkinë Tiranë, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

Eduard Meta: Nuk kam profesion, menaxhoj biznes privat. Punësimi im nga 2015 e më vonë, ka qenë në pozicion privat, në një firmë elektrike në Tiranë. Kam qenë i regjistruar si person tregtar, Igor Electric në 2013.

Themelimin e kompanisë Igor Electric e kam bërë vetë, nga person fizik në person juridik. Nuk më kujtohet mirë si i bëra letrat, i bëra vet. Kapitali fillestar ishte 1 mijë lekë. Kam blerë mjete dhe asete gradualisht.

Në 2016-2018, IGOR bënte instalime, kontrata private me nënkontraktim. S’mbaj mend konkretisht cilat. Kam bërë pune publike me OSHEE, bashkinë Tiranë, Tirana Parking te Pazari i Ri. Kam bërë një depo uji, një kolektor ujërash të zeza, saktë s’më kujtohet. Administrator i kompanisë isha vetëm, kur kam ikur unë erdhi Nestor Muhametllari. Ortak i shoqërisë IGOR ELECTRIC kam qenë 2 vjet, 2016-2018.

SPAK: E njeh Alfred Qaton?

Eduard Meta: E njoh, e kam pasur në lagje, në 2010 a 2008, nuk e kujtoj dot mirë. Kam marrëdhënie shoqërore. Ka punuar në kompani. Nuk m’u kujtua kur më pyete për të punësuarit, ndaj nuk ta thashë që ka punuar. Ekonomiste ishin Anxhela Meta, nusja ime dhe Pranvera Mema.

SPAK: Pranvera Shahinasin e njeh?

Eduard Meta: S’më kujtohet fare.

SPAK: Në 2016, në ujësjellës janë bërë dy procedura, te ujësjellës – kanalizime dhe rikonstruksioni i kolektorit. I gjeta online procedurat te Prokurimet Publike.

Eduard Meta: Kompania në 2016 ka dalë me fitim. Nuk ka ndarë fitime, nuk ka pasur ortakë. Kam tërhequr shuma të ndryshme nga llogaria e IGOR. Por nuk i mbaj mend sa.

SPAK: 114 milionë lekë të reja ke tërhequr në 2016, ku i ke çuar? E kupton sa lekë janë?

Eduard Meta: Pjesa dërrmuese ka shkuar nëpër objekte, rërë, naftë, fadromat. I kemi paguar nën dorë se ashtu ishte atëherë.

SPAK: Keni bërë shitjen e 75% të aksioneve në 2017. Pse i shitët?

Eduard Meta: Doja të hiqja kompaninë, nuk e doja më. Ia dhashë Muhametit (Petrit Muhameti, pronari i VAS konstruksion). Shkuam te noteri, i dhashë kuotat sipas ligjit. U mor avokati me atë punë.

SPAK: 2 milionë 172 mijë lekë, vlera e kompanisë në atë moment.

Eduard Meta: Doja të hapja një biznes, një palestër, ndaj e hoqa. Nestorin e kam njohur në lokal duke pa ndonjë ndeshje, vinte me Redin, e dija që ishte inxhinier.

SPAK: Përmendët Redi Mollën, nuk të pyeta për të, ç’lidhje ka?

Eduard Meta: E kam njohur Redin, ishim grup, rrinim te lagjja, pinim ndonjë birrë, ndonjë ndeshje shikonim. Mariglenin e kam njohur të parin, e kam njohur në 2006-2005. Nuk kam pasur marrëdhënie të ngushta. Te lokali vinte Redi, Nestori. Shumë mirë ishin marrëdhëniet. Mariglenin dhe Fredin (Alfred Qato, vëllai) kisha shokë. Unë kam qenë administrator deri në fund.

SPAK: Po pse, a e shite kompaninë?

Eduard Meta: Mos më pyet mua.

SPAK: Redi Molla, a kishte kontakte me të punësuarit tuaj?

Eduard Meta: Jo. Taulant Tushën e njoh, rrinim te lokali. Nuk kam folur për IGOR Electric me ta. Ndoshta ndonjë bisedë e përditshme si ka shkuar puna, por jo biseda konkrete.

Avokati Ardian Leka pyet dëshmitarin nëse ka pasur borxhe kompania

Eduard Meta: Kompania ka pasur borxhe, fatura të pashlyera. Kredi nuk ka pasur. I kam mbyll rregullisht në fund të vitit, pozitiv dilte.

 

 

 

 

ME TE LEXUARAT