Ligji i ri për mbetjet sjell kosto shtesë për qytetarët. “Ndotësi paguan”

Aktualitet

Ligji i ri për mbetjet sjell kosto shtesë për qytetarët.

Një projektligj i ri për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, i miratuar nga Këshilli i Ministrave, parashikon ngritjen e një superagjencie shtetërore që do të administrojë të gjithë infrastrukturën e mbetjeve në vend, duke sjellë rritje të kostove dhe tarifave sipas parimit “ndotësi paguan”.

Në një nismë të re ligjore, qeveria pranon dështimin e skemës së incenerimit, ku u hodhën dhjetëra milionë euro investime në dekadën e fundit, dhe i rikthehet riciklimit si hallkë e parë në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve, në një skemë menaxhimi që pritet të rëndojë në xhepat e qytetarëve me rritje kostosh dhe tarifash.

E premtuar nga Rama si një reformë e re në këtë sektor, qeveria ka depozituar në Kuvend projektligjin e ri për “Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, ku parashikohen kompetencat e një agjencie të krijuar dy vjet më parë me vendim të Këshillit të Ministrave, Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM), e cila do të funksionojë si shoqëri aksionare dhe do të jetë administratore fundore e menaxhimit të mbetjeve në gjithë vendin.

“Krijimi i AKEM erdhi në një kohë kur menaxhimi i mbetjeve është në një moment shumë të vështirë: kontratat koncesionare për inceneratorët në Tiranë, Elbasan e Fier kanë dështuar dhe këto impiante janë nën sekuestro nga autoritetet”, thuhet në Raportin e Vlerësimit të Ndikimit, një dokument i hartuar nga Ministria e Mjedisit që shoqëron projektligjin.

Kjo agjenci do të financohet nga buxheti i shtetit, nga tarifat që do të paguajnë bashkitë për depozitimin e e mbetjeve dhe nga shitja e materialeve për riciklim.

 

ME TE LEXUARAT