"Rama poshtëroi Parlamentin", Berisha me vonesë në seancë, akuza të forta Ramës
Ish-kryeministri Sali Berisha nuk arriti të marrë pjesë në seancën e sotme parlamentare, pasi ajo ka përfunduar para se ai të hynte në sallë.
Nga oborri i Kuvendit, Berisha shpërtheu në akuza ndaj Edi Ramës, të cilin e cilësoi si “kryehorr” dhe e krahasoi me emra të inkriminuar, si Suel Çela apo Elvis Doçi. Më tej, Berisha tha se kombi shqiptar duhet t’i japë përgjigjen që meriton.
“Ky është akt tipik prej Kim Jong Un, as Maduro nuk guxonte të bënte një akt të tillë. Nuk guxonte të poshtëronte në këtë shkallë Parlamentin.
Për çdo shqiptar ka vetëm një mision, shporrjen e tij një minutë e më parë nga pushteti, çdo qytetar të ngrihet në mision për të çliruar Shqipërinë nga një kryehorr, i cili nuk ka asnjë dallim nga Elvis Doçi, Suela Cela, nga një kryehorr që i vë drynin Parlamentit sipas dëshirës së tij.
Ky është kryehorri i kombit dhe kombi duhet t’i japë përgjigjen që meriton.“- tha Berisha.
Ish-kryeminsitri Sali Berisha u pa duke mbërritur në Kuvend, në momentin që mazhoranca kishte mbyllur seancën pas vetëm 25 minutash. E sotmja ishte parashikaur të ishte seancë maratonë, ku do diskutohej dhe hidhej për miratim programi i qeverisë së re, por mes tensioneve, PS vendosi ta kalonte pa diskutim dhe e mbylli gjithçka.