LOT Polish Airlines dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës theksojnë rritjen strategjike dhe lidhjet ndërkombëtare
LOT Polish Airlines, një nga kompanitë ajrore më të vjetra në Evropë, dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) mirëpritën sot agjenci udhëtimi dhe operatorë turistikë në një konferencë të dedikuar biznesi. Synimi kryesor ishte forcimi i partneritetit tregtar dhe promovimi i pranisë në rritje të LOT në tregun shqiptar, ndërkohë që u prezantuan edhe zhvillimet strategjike dhe arritjet e TIA-s si aeroporti me rritjen me të shpejtë ne rajon.
LOT Polish Airlines prezantoi rrjetin e saj të gjerë me mbi 113 destinacione në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azi, të mbështetur nga një flotë moderne avionësh dhe lidhje efikase përmes aeroportit të Varshavës. U theksuan gjithashtu shërbimet e përmirësuara për pasagjerët, komoditeti, pesha e lejuar e bagazheve, përdorimi i sallave të biznesit si dhe përfitimet në programet e besnikërisë Miles & More.
TIA prezantoi për pjesëmarrësit ecurinë e aeroportit gjatë viteve të fundit, përfshirë investimet infrastrukturore, zgjerimin e terminalit, transformimin digjital për përpunimin më të shpejtë të pasagjerëve si dhe fokusin në zhvillimin e qëndrueshëm.
Që nga fillimi i fluturimeve ne TIA, kompania Ajrore Lot ka shërbyer mbi 250 mijë pasagjerë.
“ Polonia është një nga tregjet më premtuese për prurje turistike në Shqipëri dhe Lot Polish Airline luan një rol të rëndësishëm në ofrimin e kapaciteteve të nevojshme për fluturim. Për më tepër, me rrjetin e gjerë në Evropë dhe fluturimet ndërkontinentale, LOT përmirëson ekspozimin e Tiranës dhe hyrjen në tregje të reja, veçanërisht në Amerikën Veriore. Mbetemi tërësisht të angazhuar në këtë bashkëpunim për të ofruar udhëtime ajrore cilësore mes dy vendeve,” u shpreh Z. Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
“Tirana është një pikë gjithnjë e më e rëndësishme në hartën rajonale të LOT – jo vetëm si një destinacion në rritje për udhëtarët polakë, por edhe si një destinacion i rëndësishëm në Evropën Juglindore. Me fluturime të përditshme nga dhe drejt Varshavës, u ofrojmë pasagjerëve nga Shqipëria lidhje të lehtë në rrjetin tonë global në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Jemi krenarë që mbështesim zhvillimin e turizmit dhe lidhjeve tregtare mes dy vendeve tona dhe mbetemi të përkushtuar për forcimin e këtij partneriteti,” – u shpreh zëdhënësi i LOT Polish Airlines, z. Krzysztof Moczulski.
Pas prezantimeve, pjesëmarrësit patën një hapësirë të lirë për diskutime, bashkëpunime dhe mundësi të reja partneriteti midis LOT dhe profesionistëve të turizmit shqiptar.
Ky aktivitet shënon një angazhim të përbashkët për të përmirësuar lidhjet ajrore, për të mbështetur turizmin dhe për të krijuar mundësi të reja udhëtimi mes Shqipërisë dhe pjesës tjetër të botës.