PD dëshiron t’ia marrë një mandat, Agron Shehaj i qëndron “mbi kokë” rinumërimit: KAS po u shton vota të pavlefshme partive të mëdha
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj është duke ndjekur procesin e rinumërimit të votave në qarkun e Tiranës.
Në një intervistë të dhënë për Euronews Albania, Shehaj u shpreh se nga ky rinumërim nuk do të ketë ndonjë ndryshim të rezultatit, pasi teksa janë hapur 25 kutitë e para diferencat e votave janë të papërfillshme.
“Procesi sapo ka filluar, kanë gjetur diferenca shumë të vogla. Ne po monitorojmë votat tona, votat e partisë që pretendon të marrë vendin tonë. Ne e kemi bërë një kontroll paraprak, kemi kontrolluar filmimet e numërimit të parë që është bërë i cili ka dhe më shumë vlerë në fakt.
Ne presim që mos të ketë asnjë ndryshim. Nuk besoj se do ketë ndryshim. Janë numëruar pothuajse 25 kuti“, tha Shehaj, teksa më tej theksoi se KAS është duke marrë vendime në favor të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, pasi vetë komisioni është i përbërë nga anëtarët e këtyre partive.
“Votat e Partisë “Mundësia“ janë identike. Janë shtuar 4 vota Partisë Demokratike në këto 25 kuti. Janë shtuar sepse KAS ka rivlerësuar vota që ishin quajtur të pavlefshme. Të gjitha votat e pavlefshme që janë shtuar PS-së dhe PD-së, janë vota të cilat kanë një problem, dhe tani KAS merr vendim dhe thotë se nuk është problem, janë vota të vlefshme. KAS po vendos ti shtojë vota PS-së dhe PD-së.
Të gjitha votat çohen për rivlerësim tek KAS nga numëruesit dhe vendimet e KAS janë në favor të PS-dhe PD-së, është fakt. Nëse cënohet rezultati, ne jemi këtu, kemi vëzhgues dhe po kujdesemi që votat e partisë “Mundësia“ të mos preken, dhe votat për partitë e tjera të mos shtohen. Nëse ka tentativa për të rrëmbyer mandatin e partisë Mundësia, do ta denoncojmë“, tha Shehaj.