Ministria e Financave: Transporti urban përjashtohet nga detyrimi për POS në autobusë

Transporti publik urban brenda qyteteve nuk do të jetë i detyruar të instalojë pajisje POS/POI për pagesa me kartë bankare në çdo autobus, sqaroi Ministria e Financave.
Në një letër drejtuar Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, ministria shpjegoi se, bazuar në ligjet "Për procedurat tatimore" dhe "Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit", shitja e biletave nga shoferi ose nga një person i autorizuar përjashtohet nga detyrimi për lëshim fature elektronike dhe, rrjedhimisht, edhe nga detyrimi për pajisje POS.
Arsyetimi ligjor bazohet në lidhjen mes dy normave: ligji për procedurat tatimore përjashton nga detyrimi për terminal POS/POI ata tatimpagues që janë të përjashtuar nga lëshimi i faturës; ndërsa ligji për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit përjashton shprehimisht shitjen e biletave nga shoferët e mjeteve të transportit publik urban, sipas vendimeve të njësive të vetëqeverisjes vendore.
"Nga leximi i kombinuar i këtyre dispozitave ligjore, rezulton se operatorët e transportit publik urban brenda qytetit (autobusët)... janë të përjashtuar edhe nga detyrimi ligjor për t'u pajisur me terminal 'POS/POI' në çdo pikë shitjeje, në rastin konkret në çdo autobus urban individual, që operon brenda qytetit," thuhet në letrën e ministrisë.
Çështja u ngrit pas shqetësimeve të Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, e cila kishte argumentuar se zbatimi i detyrimit për pagesa elektronike në çdo autobus ishte teknikisht i vështirë dhe do të rriste koston e biletës me rreth 30 lekë për qytetarët.


