Rama kërcënon kryebashkiakët: Buzëqeshja e ëmbël të mos kthehet në të hidhur! Kam marrë informacione se...

Politikë

Rama kërcënon kryebashkiakët: Buzëqeshja e ëmbël

Kryeministri Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në eventin për modernizimin e infrastrukturës nëntokësore në zonat urbane, nuk u ndal vetëm te projektet e zhvillimit, por adresoi edhe një shqetësim që, sipas tij, është ngritur vazhdimisht nga komunitetet lokale.

Duke folur për rolin e bashkive dhe përgjegjësitë e pushtetit vendor, Rama theksoi se kryetarët e bashkive duhet të jenë të pranishëm pranë qytetarëve dhe të ndjekin nga afër problematikat e komuniteteve që drejtojnë.

“Bashkia duhet të kujdeset për të gjitha shërbimet. Qytetarët mund të kenë nevojë për çështje të shëndetit, çështje që lidhen me sigurinë. Po ashtu e them me një vërejtje, pasi janë bërë pak problem për komunitetin, pasi nuk qëndrojnë gjatë gjithë javës, vijnë në Tiranë edhe kur duhet të jenë në krye të detyrës atje. Nuk janë të gjithë, janë disa”, u shpreh ai.

Ai veçoi ministrin e Pushtetit Vendor, Ervin Demo, si një model që sipas tij duhet të ndiqet edhe nga drejtues të tjerë vendorë.

“Shembulli i ministrit aktual të Pushtetit Vendor është një shembull që duhet ndjekur edhe nga disa kryetarë që nuk dua t’i përmend me emër. Besoj që kam mirëkuptimin tuaj për të adresuar këtë shqetësim që më ka ardhur në mënyrë të përsëritur në disa prej komuniteteve tuaja, kryesisht në aksin Tiranë-Korçë”, deklaroi Rama.

Kryeministri shtoi se kritika e tij kishte në fokus disa prej kryebashkiakëve të zgjedhur nën siglën e Partisë Socialiste, duke kërkuar më shumë angazhim dhe prani në territor.

“Nuk flas për ata të ish-PD-së, se mund të rrinë në shtëpi gjithë kohës. Flas për të zgjedhurit e PS-së në aksin Tiranë-Korçë”, tha ai.

 

ME TE LEXUARAT