Limaj i përgjigjet Ramës dhe Ballës me video nga koha e luftës: "Mos prekni themelet e lirisë për interesa ditore"

Lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka publikuar një video nga periudha e luftës, e cila e shfaq krah për krah me heroin e kombit, Tahir Sinani.
Përmes postimit, Limaj ka kërkuar që figurat dhe vlerat që, sipas tij, përbëjnë themelet e lirisë së Kosovës dhe të kombit shqiptar të mos përdoren për qëllime politike apo përplasje të çastit. Reagimi vjen si përgjigje ndaj Edi Ramës dhe Taulant Ballës, të cilët, sipas Limajt, kanë përdorur figurën e Tahir Sinanit në kuadër të interesave të tyre politike.
"Mos prekni themelet e lirisë për interesa e përplasje ditore," shkroi Limaj. "Heroi i kombit, Tahir Sinani, i kthyer në frymëzim dhe simbol të qëndresës për çdo luftëtar të UÇK-së, është në themel të lirisë së kombit tonë. Ai e ka shkruar me gjak historinë e lavdishme të UÇK-së dhe emri i tij mbetet i paharruar në ndërgjegjen kombëtare."
Limaj mbylli mesazhin e tij me një homazh: "Lavdi Tahir Sinani dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!"


