Miratohen rregulla të reja për programimin e inspektimeve dhe vlerësimin e riskut

Këshilli i Ministrave miratoi rregullat e përgjithshme të programimit të inspektimeve, metodologjinë e vlerësimit të riskut dhe përcaktimin e periudhës maksimale të inspektimeve vjetore për subjektet e inspektimit.
Vendimi, i propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, synon të krijojë një kuadër të standardizuar për inspektorate qendrore dhe vendore, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe subjektet inspektuese, duke përdorur metodologji të bazuara në risk për prioritizimin e kontrollit dhe parandalimin e mosrespektimit të ligjit.
Sipas vendimit, programi vjetor dhe mujor i inspektimeve hartohet mbi bazën e riskut, duke marrë parasysh madhësinë, aktivitetin dhe karakteristikat e subjekteve të inspektimit.
Periudha maksimale e inspektimeve shkon nga 5 deri në 15 ditë në vit, sipas kategorisë së riskut, duke siguruar fokus tek subjektet me risk të lartë.
Matrica e vlerësimit të riskut dhe treguesit përkatës do të përditësohen dhe publikohen nga inspektoratet, për transparencë dhe orientim të subjekteve ndaj respektimit të ligjit.
Vendimi hyn në fuqi pas funksionimit të sistemit të përmirësuar “e-Inspektimi”./ORA


