"As trembem e as mposhtem"/ Drejtori i AKU-së në Shkodër reagon pas dhunës: Nuk më ndalin pabesia dhe qyta e armëve

Zbardhet dëshmia e drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër, Ramir Haderi, i cili u dhunua një ditë më parë me sende të forta në qytetin verior.
Sipas burimeve, në deklarimin e dhënë përpara grupit hetimor, Haderi ka thënë se nuk ka mundur të identifikojë autorin e sulmit.
Në një status të gjatë dhe emocional, ai shpreh mirënjohjen për solidaritetin e treguar, ndërsa e cilëson besimin e qytetarëve si një përgjegjësi të madhe për të vijuar shërbimin ndaj Shkodrës me dinjitet.
“As pabesia, as qyta e armëve tinzare pas shpine në mes të qytetit, as presionet e ndryshme nuk do të mund të më ndalin apo të më zbehin parimet e mia për të ecur drejt, lirshëm dhe me ndërgjegje të pastër. Sepse plagët nuk janë vetëm në trup ato mbeten në shpirt. Por shpirti im nuk përkulet. As në lule të ballit nuk më tremb dora tinzare e pabesë e natës.
Nuk më trembin e as më mposhtin. Pas kësaj dhimbjeje, e goditje pas shpine kam ndjerë dorën dhe zemrën e qytetarëve të mi. Dhe kjo më jep forcë të mos bie, të mos hesht dhe të mos tërhiqem. Detyra ime ndaj Shkodrës është shërbimi dhe mosdorëheqja përballë së keqes e kërcënimeve”, shprehet Haderi.
“Shkodra ka ditur gjithmonë të bëhet krah, besë dhe forcë e përbashkët për qytetin e saj, dhe unë, me përulësi, do të vazhdoj të ndjek atë rrugë me të njëjtin besim e përgjegjësi.
Shpreh besimin tim të plotë tek Policia e Shtetit dhe organet përgjegjëse për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të porositësve të saj jo vetëm për mua, por për vetë qytetarët. Shkodra meriton besim. Shkodra meriton drejtësi”, vijon kreu i AKU Shkodër.
Ndërkohë, Policia e Shkodrës vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë pranë vendit të ngjarjes, por deri tani nuk është bërë i mundur identifikimi i personit të dyshuar.
Sipas policisë, një nga pistat kryesore të hetimit mbetet ajo e sulmit për shkak të detyrës, ndërsa nuk përjashtohen edhe motive të tjera.


