Nuk iu bind Policisë! “Porsche” përplas dy mjete të parkuara në qendër të Fierit, shoferi tenton të ...

Një incident i pazakontë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të marte në qendër të Fierit, ku drejtuesi i një automjeti luksoz tip “Porsche” ka humbur kontrollin e mjetit teksa lëvizte me shpejtësi të lartë, duke u përplasur me dy makina të parkuara anës rrugës.
Sipas burimeve nga vendngjarja, shoferi dyshohet se nuk iu bind urdhrit të patrullës së Policisë për të ndaluar, ndërsa pak çaste më pas shkaktoi aksidentin që solli dëme të konsiderueshme materiale.
Dëshmitarët tregojnë se pas përplasjes, drejtuesi i mjetit ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, madje duke hequr edhe targën e automjetit për të shmangur identifikimin nga autoritetet.
Ka qenë reagimi i menjëhershëm i qytetarëve të pranishëm në zonë që pengoi arratisjen e tij, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e efektivëve të Policisë bëri të mundur neutralizimin dhe arrestimin e drejtuesit të mjetit.
I riu është shoqëruar në komisariat, ku po kryhen veprimet procedurale, ndërsa forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.


