Juglindja vijon të jetë e izoluar, rruga dytësore e hapur për kalim provizor pëson fundosje dhe rrëshqitje toke

Segmenti rrugor në zonën Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, nuk do të hapet sot për qarkullim, siç ishte parashikuar.
Pas ndërhyrjes me by-pass dhe hapjes së një rruge dytësore për kalim provizor, situata ka ndryshuar për shkak të problemeve në terren.
Rruga dytësore ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje toke, duke dëmtuar punimet e kryera dhe duke e bërë segmentin të pakalueshëm.
Si pasojë, për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar lëvizja e mjeteve dhe këmbësorëve në këtë pjesë.
Strukturat shtetërore pritet të kryejnë një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi zona paraqitet e paqëndrueshme dhe e vështirë për ndërhyrje.


