Punonjësit e huaj garantojnë funksionimin e strukturave turistike

Aktualitet

Punonjësit e huaj garantojnë funksionimin e strukturave turistike

Në prag të sezonit turistik, sektori i turizmit në qytetin bregdetar të Durrësit përballet me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore.

Për të përballuar këtë situatë, shumë struktura hoteliere dhe restorante kanë nisur të punësojnë punonjës të huaj.

Një prej tyre është edhe ky i ri nga Turqia, i cili është punësuar si kuzhinier në një nga strukturat hoteliere të qytetit. Ai tregon se prej një periudhe të gjatë jeton dhe punon në Shqipëri dhe se ndihet i vlerësuar në profesionin e tij.

“Prej një periudhe të gjatë jetoj dhe punoj këtu në Shqipëri. Së fundmi jam punësuar si kuzhinier dhe ndihem shumë mirë këtu. Më parë kam punuar edhe në sektorë të tjerë të turizmit, por në Shqipëri ndihem më komod dhe i vlerësuar në punën time. Pagat janë pothuajse të njëjta me ato në Turqi, por vendi ku jam punësuar aktualisht ofron paga edhe më të mira”, pohoi kuzhinieri nga Turqia.

Fenomeni i mungesës së punonjësve është bërë gjithnjë e më i dukshëm vitet e fundit, veçanërisht gjatë periudhave kur rritet kërkesa për shërbime turistike.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, Neritan Golja, shprehet se bizneset po e zgjidhin këtë mungesë përmes punësimit të punonjësve të huaj, në mënyrë që të garantohet funksionimi normal i strukturave turistike gjatë sezonit.

“Kemi raste kur ka dhe mangësi në staf, por masa po merren edhe me ndërhyrje me punonjës që po vijnë nga vende të ndryshme të botës, por edhe djem e vajza të reja janë ndërgjegjësuar që puna në turizëm është një punë shumë e mirë”, u shpreh Golja.

Turizmi konsiderohet një nga sektorët me numrin më të madh të të punësuarve në vend dhe interesi për t’u përfshirë në këtë fushë mbetet i lartë.
Sipas Goljas, pritshmëritë për sezonin turistik të këtij viti janë pozitive, ndërsa bizneset shpresojnë për një rritje të mëtejshme të numrit të vizitorëve.

“Duhet të shikojmë që ka diçka për të përmirësuar, por që kemi besimin se me shumë takime të bizneseve ky vit do të jetë akoma edhe më i mirë dhe më i qartë”, pohoi ndër të tjera Golja.

Operatorët turistikë theksojnë se, krahas përgatitjeve të bizneseve, është i nevojshëm edhe një menaxhim sa më i mirë nga strukturat vendore, për të përballuar fluksin e turistëve dhe për të garantuar një sezon të suksesshëm turistik./Tema

ME TE LEXUARAT