Kodet e krimit të Vlorës. Dy atentate e trafik kokaine nga Amerika Jugut në Europë

Në dukje, gjithçka duket si një tjetër histori krimi në Vlorë.
Një qytet që prej vitesh përmendet shpesh në dosjet e trafikut ndërkombëtar të drogës. Por edhe të shumë vrasjeve që për vite me radhë kanë mbetur pa autor.
Por këtë herë, hetimi do të zbulonte diçka shumë më të madhe.
Një rrjet kriminal me shtrirje nga Vlora deri në Amerikën Latine, nga Holanda në Gjermani, nga Turqia në Itali.
Një organizatë që dyshohet se kontrollonte trafikun ndërkombëtar të kokainës, transportin e drogës në disa shtete europiane dhe atentate të përgjakshme në Vlorë.
Në qendër të këtij rrjeti, sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, janë disa persona që komunikonin përmes sistemit të koduar SKY ECC.
Mes tyre, edhe një oficer policie.
Hetimi i SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit ka dokumentuar tashmë dy vrasje mafioze në Vlorë, disa raste trafiku ndërkombëtar droge dhe qindra kilogramë kokainë të sekuestruara në Europë.
E duket se kjo dosje flet për kodet e një rrjeti kriminal që vepronte mes Shqipërisë dhe Europës dhe i një operacioni që tenton ta çmontojë atë.
Edhe pse personazhi kryesor nuk u arrit të arrestohet. Siç i kishte shpëtuar atentateve, ai arriti t’u shpëtojë edhe prangave. Rastësi apo jo, kjo mbetet për t’u provuar. Ky është Inez Hajrulla. Bashkë me krahun e tij të djathtë, Ervis Matodashaj, ai nuk u arrestua gjatë operacionit të 7 marsit 2026.
Fati e shpëtoi 3 herë nga plumbat e eksplozivi, por pak kush e beson se fati mund ta ketë shpëtuar edhe nga arrestimi. Ashtu siç tashmë del edhe nga hetimet e SPAK, duket se Inez Hajrulla gjithmonë ka pasur lidhjet e duhura në Polici.
Kur emra të rëndësishëm të botës së krimit “bien”, disa të tjerët ngrihet.
Vëmendja shkon tek ata që zunë vendin e atyre, që në ndonjë rast janë vrarë e në raste të tjera janë arrestuar.
E me gjithë idenë se pas “zhdukjes” së atyre që njiheshin, aktiviteti kriminal mund të ngadalësohet, në fakt shpesh ndodh që të bëhet më i zgjuar e në ndonjë rast edhe më i egër.
Bota e re e nëndheshme, në dukje më e qetë dhe e decentralizuar, projektohet në atë formë që të mos bjerë kur një njeri bie.
E njëjta gjë duket se ka ndodhur edhe në Vlorë. Një vend që për vite me radhë pati një nivel të lartë kriminaliteti, vitet e fundit duket sikur ka rënë në qetësi.
Ndërsa policia rrëzoi lojtarët më të zhurmshëm e disa të tjerë u vranë, ata më të “qetët” u ngritën.
Në aktivitetin e sotme të drogës, pushteti nuk bërtet, por pëshpërit nga pas dyerve të zyrave, nëpër dhomat e mbledhjeve, përmes kompanive fiktive dhe mesazheve të koduara.
Kanë ikur bosët e drogës që nuk hezitonin të shfaqnin jetën e tyre luksoze. Brezi i ri nuk duan të ekspozohen. Ata nuk duan famë, duan kontroll.
Në Dubai, shumë personazhe të botës së krimit që ende nuk kanë dalë në skenë, shndërrojnë paratë e pista në luks të ligjshëm. E në ndonjë rast, kur interesat prishen, apo konkurrenca në Shqipëri u prish disi reputacionin e fshehtë, nga atje ku ndodhen organizojnë gjithçka. Por duke përdorur lojtarë të tjerë, pa dalë vetë në skenë në asnjë rast. Në dukje janë grupe e organizata kriminale pa emër, flamur apo fytyrë, që përdorin korniza ligjore për të maskuar pasuritë e paligjshme.
Duket se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në vitit 2023 në Vlorë, kur një personazh që i kishte shpëtuar dy atentateve të mëparshme, arriti t’i shpëtojë dhe një të treti. Ky ishte Inez Hajrulla. Ai ka qenë lidhje shoqërore e Edison Harizaj, i konsideruar si “Il padrino”. Harizaj, i cilësuar si një nga njerëzit më të fortë të Vlorës, u ekzekutua në Durrës në nëntor të vitit 2018. Ai ishte një nga personat më të ruajtur, për shkak të konflikteve të shumta që kishte nga trafiku i drogës, vrasjet dhe gjobëvëniet. Veç të tjerave Harizaj kishte një aleancë edhe me grupin e Selenicës, konkretisht me Ferdinand Llanajn. Po ashtu, njihej edhe për miqësinë me Emiljano Shullazin. Edison Harizaj, bashkë me shokun e tij, Genci Çaçi, u qëlluan me mbi 50 plumba, ndërsa po udhëtonin në drejtim të Kavajës me një makinë “Audi A8”. Ndërsa pas vrasjes së tij, duket se ishte Inez Hajrulla, njeriu i tij më i afërt, që do të niste planet për hakmarrje.
Madje dyshohet se është përfshirë edhe në aktivitetin e tij, edhe pasi Harizaj u ekzekutua. Më datë 27 nëntor të vitit 2017, në rrugën “Sulejman Delvina”, në Vlorë, ndodhi edhe atentati i parë ndaj tij. Hajrulla u tentua të eliminohej me eksploziv, që ishte vendosur në makinën “Jeep”, me të cilin ai udhëtonte. Pas shpërthimit, ku ai mbeti i plagosur rëndë, Policia gjeti në makinë edhe një pistoletë që ai e mbante pa leje.
Dy vite pas këtij atentati, ai u kthye sërish në objekt të një atentati, kësaj here më armë zjarri. Ai u qëllua në Maj të vitit 2019, në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, teksa ishte ulur në një lokal. Autorët e qëlluan nga një automjet në lëvizje. Hajrulla i shpëtoi edhe këtij atentati, ku u plagos gabimisht një person që po pinte kafe në të njëjtin lokal. Makina e atentatorëve u gjet e djegur më pas në fshatin Babicë e Vogël.
Policia pati dyshime në atë kohë se ngjarja mund të ishte porositur nga Bernard Sinomataj, për shkak të përplasjeve që ata kishin. Por në gusht të vitit 2023, Policia e Vlorës arrestoi Amarildo Nikollin, nga Shkodra, për të cilin pati dyshime se ishte paguar për të qëlluar Inez Hajrullën.
Nikolli u arrestua kur po qarkullonte me armë zjarri me silenciator dhe me fishek në fole, gati për qitje dhe dyshohej se kishte ardhur nga Italia në Shqipëri për të kryer një vrasje me pagesë.
Fillimisht çështja ndaj Amarildo Nikollit u trajtua nga Gjykata e Vlorës për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municionit”. Pas një hetimi disa mujor, Prokuroria e Vlorës shpalli moskompetencë dhe dosja e tij i kaloi për hetime Prokurorisë së Posaçme.
SPAK nisi hetimet për akuzën e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”. Nikolli ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorët e SPAK, duke treguar sipas tij emrat e disa personazheve të botës së Krimit në Vlorë, Tiranë dhe Shkodër. Personin që e kishte porositur për të kryer vrasje dhe ata që e kishin ndihmuar. Ndërsa se për llogari të kujt do të kryhej vrasja, ai nuk ka qenë në gjendje ta tregojë. Por pas dëshmisë së tij del në skenë Dubai. Duket se urdhri është dhënë nga atje. Megjithatë as sot nuk dihet emri i këtij personi.
Në nëntor të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar informacion Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë: mbi lidhje shoqërore, miqësore, familjare, të shtetasve Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, pseudonimet e tyre, nëse disponohen informacione apo të dhëna, se këta shtetas merren me lojëra fati, baste sportive, apo kishin qenë të dyshuar për ndonjë vepër penale.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në përgjigjen për SPAK ka pasqyruar të dhënat se Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, kanë lidhje shoqërore të hershme që prej fëmijërisë. Hajrulla, njihet me pseudonimin “Ini i Çones” dhe së fundmi, pas ngjarjes së vitit 2017, ku mbeti i plagosur, njihet edhe me pseudonimin “Sakati”. Ndërsa Ervis Matodashaj, njihet me pseudonimin “Çoke qorri”. Nga të dhënat dhe informacionet e mara në rrugë operative, në periudhën e muajit Mars të vitit 2023, ka rezultuar se këta persona kanë filluar të kryejnë aktivitetin e jashtëligjshëm të organizimit të lojërave të fatit, konkretisht atë të basteve sportive, në qytetin e Vlorës. Ky fakt përputhet me deklarimin e Amarildo Nikollit, që ndër arsyet e vrasjes ishte marrja nën kontroll e lojërave të fatit.
Nga ana tjetër, në mars të vitit 2024, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Policisë së Vlorës, kopje të vendimit të pezullimit në lidhje me procedimin penal të vitit 2013 dhe vendimit të pushimit të hetimeve në ngarkim të shtetasve Altin Sejdiraj, Nadir Ferko dhe Ervis Matodashaj, të hetuar për vrasje.
Nga përgjigja e Policisë së Vlorës rezulton se, në datën 22 mars të vitit 2013, rreth orës 21:30, në lagjen “11 Janari”, në Vlorë, persona të pa identifikuar kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Erigert Ferik Zejno, 24 vjeç, i cili ka mbetur i plagosur rëndë në mjetin e tij tip “Ford Focus” dhe më pas ka ndërruar jetë në spital.
Në lidhje me këtë ngjarje, në datën 17 gusht 2013, janë arrestuar Ervis Matodashaj, Nadir Ferko dhe Altin Sejdiraj. Por në datën 21 prill 2014, është vendosur pushimi i hetimeve për Ervis Matodashajn e dy të tjerët, për mungesë provash dhe procedimi është pezulluar për zbulim të autorëve në datën 4 dhjetor 2014.
Këto akte që i janë përcjellë SPAK nga Policia e Vlorës konfirmojnë deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë se krimi do të kryhej edhe për hakmarrje, pasi rezulton se shtetasi Erigert Zejno është vrarë dhe gjatë hetimeve njëri nga të dyshuarit ka qenë edhe shtetasi Ervis Mustafa Matodashaj.
Rezulton se Leonard Avdi Luzi, Zejno, është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejno, pasi babai i Leonardit, i cili ka vdekur vite më parë është kushëri me shtetasin Ferik Zejno, babai i viktimës. Ky fakt konfirmohet edhe nga i pandehuri Muharem Koroveshi, i cili ka deklaruar se Leonardi ka të atin e viktimës, djalë xhaxhai.
Nga Prokuroria e Posaçme, në nëntor të vitit 2023 i është kërkuar Zyrës Ndërlidhëse Interforza, informacion nëse Amarildo Nikolli dhe Leonard Luzi, kanë qenë në të njëjtin burg në Itali duke vuajtur dënimin dhe në cilën periudhë kohore. Kjo zyrë, në kthim përgjigje ndër të tjera sqaron se Amarildo Nikolli dhe Leonard Luzi kanë qenë në të njëjtin institucion vuajtje dënimi, atë të Pratos, në periudhën 2015-2018, fakt që përputhet me deklarimin e bashkëpunëtorit të drejtësisë për njohjen e tij me të pandehurin Leonard Luzi.
Bazuar në deklarimet e Amarildo Nikollit, si edhe provave shkresore, nga ana e Prokurorisë janë identifikuar objektivat e krimit, personat me nofkën ”Qorri” dhe ”Ini” ose “Sakati”, të cilët janë përkatësisht shtetasit: Ervis Matodashaj, 42 vjeç dhe Inez Hajrulla, 33 vjeç. Është kryer veprimi hetimor i paraqitjes për njohje me anë të fotografisë, me personin nën hetim Amarildo Nikolli dhe në të tri rastet e ndërrimit të vendeve të fotografive me secilin prej personave që iu paraqitën për njohje, ka identifikuar të dy personat që i ishte kërkuar të vriste, por edhe të pandehurin tjetër, Muharem Koroveshi.
Sipas asaj që ka deklaruar bashkëpunëtori i drejtësisë, të konfirmuara edhe me prova të tjera, rezulton se financuesi i vrasjeve në Vlorë, jeton në Dubai dhe ka banesë në Shëngjin të Lezhës. Hetimet e deritanishme nuk kanë bërë të mundur ta identifikojnë plotësisht atë dhe për këtë arsye ky procedim është ndarë dhe po vijojnë hetimet për këtë rast.
Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar një hetim të gjerë ndaj një grupi të strukturuar kriminal, me bazë në qytetin e Vlorës dhe me aktivitet të shtrirë në disa vende të Bashkimit Europian. Hetimet janë bazuar në komunikimet e koduara SKY ECC, si dhe veprimet e tjera hetimore. Përmes tyre është zbuluar se ky grup kriminal është përfshirë në krime kundër personit, trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Në kuadër të procedimit penal 152 të vitit 2022, Prokuroria e Posaçme po heton veprat penale: “Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Pas kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr. 13, datë 5 mars 2026, ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 8 shtetas shqiptarë. Byroja Kombëtare e Hetimit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masat e sigurimit për 3 shtetas, një prej të cilëve ndodhet aktualisht i arrestuar në Zvicër. Vijon puna për kapjen dhe ekzekutimin e masave të sigurimit për 5 persona të tjerë. Gjatë hetimit të këtij procedimi janë dokumentuar faktet penale si, “Vrasja me paramendim”, në dëm të shtetasit Gentjan Qarri më datën 6 shkurt 2021 në qytetin e Vlorës, si dhe Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të shtetasi Bledar Birçaj, i ekzekutuar më 10 maj 2021, në Vlorë.
Mbrëmjen e 6 janarit 2021, 40-vjeçari Gentian Qarri, mbetet i vrarë në një atentat në Vlorë. Ngjarja ndodhi kur Qarri sapo kishte dalë nga banesa e tij, që ndodhet në lagjen “29 Nëntori”. Policia tha në atë kohë se autorë të dyshuar të ngjarjes ishin dy persona të maskuar, të cilët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ata qëlluan 20 plumba në drejtim të Gentian Qarrit, nga një armë automatik, tip “Sharrs”. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, një automjet tip “Toyota Yaris” me targa greke, u gjet e djegur në zonën e “Pyllit të Sodës”.
Në brendësi të automjetit u gjet edhe arma e krimit, që sipas Policisë ishte përdorur nga autorët në atentat. Pista kryesore ku Policia përqendroi hetimet në atë kohë lidhej me dënimin e 40 – vjeçarit Qarri në Itali. Ai ishte dënuar atje me 11 vjet burg për trafik të lëndëve narkotike dhe pas dënimit ishte kthyer në Vlorë. Gentian Qarri kishte më shumë se tre vjet që ishte kthyer në vendlindje, ishte martuar dhe punonte si hidraulik. Gjatë kësaj periudhe që ka qëndruar në Shqipëri, sipas Policisë ai nuk nuk rezultonte person me probleme. Përveç dënimit për drogë në Itali, Policia nuk përjashtonte edhe mundësinë e ndonjë konflikti që ai mund të kishte pasur kohët e fundit, që mund të kishin sjellë ndonjë hakmarrje të mundshme. Por edhe fakti që ai ishte kushëriri i Fatmir Hysenin, një personazh që ishte hetuar për disa ngjarje të rënda kriminale, një prej të cilave edhe atentati ndaj Inez Hajrullës, i ndodhur në vitin 2019, ngjarje për të cilën ai është shpallur në kërkim. Për këtë ngjarje janë dënuar nga Gjykata e Apelit 5 persona.
Më 6 tetor 2023, Prokuroria nisi hetimet për kanosje për shkak të detyrës të gjyqtareve Valdete Hoxha, Lutfie Celami dhe Edlira Petri, të cilat denoncuan sulmin dhe kërcënimet që u kishin ardhur në sallën e gjyqit, teksa po bëheshin gati të shpallnin vendimin.
Ato kërkuan ndihmën e Policisë së Tiranës menjëherë mbasi shpallën nga 35 vjet burg për shtetasit Daut Elmazi dhe Gentian Zoto, dënimin me 30 vjet burg për Igli Memaj dhe nga 25 vjet për Serxho Ademin dhe Albano Goxhaj. Gjyqtaret u kërcënuan në sallën e gjyqit nga të afërmit e këtyre të akuzuarve, të cilët u dënuar për “vrasje në rrethana cilësuese” të mbetur në tentativë. Vetë personat e akuzuar nuk ishin të pranishëm në seancë, por ndaj tyre po jepej vendimi për ngjarjen e ndodhur në maj të vitit 2019 në Vlorë, kur u qëllua në drejtim të një automjeti, në të cilin ndodhej Inez Hajrulla. Por të pandehurit pretendonin se provat në vendngjarje ishin manipuluar nga Policia e Vlorës dhe se gjykatat nuk i kishin konsideruar drejt provat ndaj tyre. Të njëjtin pretendim patën edhe familjarët që po ndiqnin në sallën e Gjykatës së Apelit seancën në ngarkim të tyre.
Por, 5 vite pas vrasjes së Gentian Qarrit në Vlorë, SPAK ka arritur të zbardhë pjesërisht këtë krim, në kuadër të procedimit penal 152 të vitit 2022, duke ngritur akuza ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt.
Gjatë hetimit të këtij procedimi janë dokumentuar faktet penale si më poshtë: “Vrasja me paramendim” në dëm të shtetasit Gentjan Qarri më datën 6 shkurt 2021 në qytetin e Vlorës, e kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”. Të hetuarit Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit të strukturuar kriminal kanë organizuar, ndërvepruar dhe koordinuar në kohë reale me ekzekutorët, me qëllim realizimin e vrasjes dhe kanë dhënë udhëzime operative që kishin të bënin me monitorimin e viktimës, sigurimin e automjeteve dhe kryerjes së vrasjes, fshehjen e autorëve dhe djegien e automjetit me të cilin janë larguar autorët.
Në orën 12 e 59 të datës 10 maj 2021, në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë një karburanti, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit “BMW X5”, me targë AB 797 CS. Nga verifikimet e menjëhershme rezultoi se ishte vrarë Bledar Birçaj, 38 vjeç. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën 29 gëzhoja model 56, ndërsa në automjet kishte 24 vrima të shpimit me armë zjarri. Teksa ishte futur në sallën e operacionit, në Spitalin e Vlorë ku ndërroi jetë, viktimës iu gjet në brez një pistoletë “Bereta”.
Është bërë administrimi i pamjeve filmike të subjekteve të rrugët që ka ndjekur Bledar Birçaj, nga lokali në pronësi të tij “The Boss”, deri në vendin e ngjarjes dhe po ashtu edhe rrugët që kanë ndjekur autorët për të shkuar drejt vendit ku kryen vrasjen, si dhe rrugët që kanë ndjekur për t’u larguar. Nga verifikimi i pamjeve ka rezultuar se autorët kanë përdorur automjetin “Mercedez C Class” me ngjyrë gri, me xhama të zinj, i cili kishte targa që ishin vjedhur në Fier. Pas ngjarjes makina e autorëve ka lëvizur drejt fshatit Kaninë, nga aty është futur në bypass për të dalë tek varrezat e qytetit e më pas në fshatin Risili. Për herë të fundit është fiksuar nga kamerat e një subjekti në vendin e quajtur “Bishti i malit”, në fshatin Armen.
Ndërsa Bledar Birçaj ka lëvizur nga bar “The boss”, shëtitorja “Lungomare”, ka hyrë në rrugën “Pelivan Leskaj”, më pas në unazën e qytetit dhe afër karburantit në lagjen “Hajro Çakërri” është qëlluar me armë zjarri nga dy persona, të cilët i kanë bërë pritë dhe me pas janë larguar.
Viktima, Bledar Birçaj, ishte pronar i bar “The Boss”, i cili ndodhet në kompleksin “Oslo”, si dhe kishte rreth 2 vite që kishte nisur të ndërtonte një hotel 3-4 katësh në lagjen “Uji i Ftohtë”, në Vlorë. Bledar Birçaj kishte bashkëjetuar me një vajzë të quajtur Ornela, e cila është motra e bashkëshortes së Fatmir Hysenit, i njohur si “Doqja”. Bashkëshortja e Hysenit ishte larguar nga Shqipëria më 13 prill 2021 në drejtim të Turqisë e më pas në Spanjë. Megjithatë, pasi janë analizuar të gjitha variantet, pista kryesore e hetimit ishte se vrasja e Bledar Birçajt ishte kryer për shkak se ai, së bashku me Delon Troqen dhe persona të tjerë, kishin grabitur një sasi lënde narkotike në Spanjë.
Por duket se edhe në këtë rast, me eliminimin e Bledar Birçajt është synuar edhe goditja e Fatmir Hysenit, i njohur edhe si “Doqja”, që siç e thamë më herët ka synuar vrasjen e Inez Hajrullës, por ka qenë edhe i hetuar për ekzekutimin e Edison Harizajt në Durrës, në vitin 2018.
Nga analiza e komunikimeve, rezulton se Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, si dhe shtetas të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit, në bashkëpunim me njeri- tjetrin, kanë ndërmarrë një seri veprimesh të qëllimshme, për të realizuar vrasjen e shtetasit Bledar Birçaj. Ata kanë siguruar të gjitha kushtet dhe kanë përdorur mjete teknike, si kamera survejimi dhe kanë vëzhguar lokalin “The boss” në pronësi të shtetasit Bledar Birçaj, për të monitoruar në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet, oraret dhe personat, me të cilët shoqërohet. Gjithashtu rezulton se ata kanë hartuar një plan konkret për mënyrën dhe vendin e ekzekutimit. Shtetasi Bledar Birçaj është ekzekutuar më datë 10 maj 2021, në lagjen ‘Hajro Çakërri’, në Vlorë.
Tre vite pas kësaj ngjarje, nuk munguan sinjalet për hakmarrje nga të dy krahët.
Një sasi eksplozivi shpërtheu në orët e para të mëngjesit të datës 8 dhjetor 2024, në një lokal në zonën e Lungomares në Vlorë. Lokali ishte në pronësi të familjes së Bledar Birçajt, i cili u ekzekutua 10 maj të vitit 2021 në makinën e tij. Nga shpërthimi u shkaktuan vetëm dëme materiale. Restoranti “The Boss” nuk kishte funksionuar prej kohësh, por kishte vetëm pak ditë që ishte rihapur, pasi ishte marrë sërish nga vëllezërit e Bledari Birçajt. Kamerat e lokalit kanë filmuar autorin, i cili ka qenë me maskë. Ai ka ardhur nga ana e lokaleve dhe pasi ka vendosur tritolin me fitil e ka ndezur dhe ka shkaktuar shpërthimin. Më pas është larguar mes pallateve me biçikletë. Restoranti ku ndodhi shpërthimi rezulton në emër Resmie Birçajt, nëna e Bledar Birçajt.
Duke verifikuar kamerat e sigurisë, Policia e Vlorës arriti të identifikojë dhe të arrestojë autorin e dyshuar të ngjarjes. I dyshuari u arrestua pak ditë pas ngjarjes. Ai është 28-vjeçari Beqir Selamaj, i cili ishte fiksuar nga kamerat e sigurisë që në momentin kur ka dalë me biçikletë nga shtëpia e tij në Vlorë. Ai ka qenë i veshur me rroba të zeza. Pasi ka vendosur sasinë e tritolit është larguar sërish me biçikletë, duke u zhvendosur në një zonë tjetër të Vlorës. Gjatë rrugës ka hequr rrobat dhe më pas sërish me biçikletë ka shkuar në një lokal ku ka pirë kafe. Autori i dyshuar rezulton i skeduar nga Policia, kryesisht për vjedhje.
Beqir Selamaj, i njohur edhe me mbiemrin Murati, nuk ka pranuar të tregojë asgjë rreth emrave të personave që e kanë paguar për vendosjen e tritolit në lokalin e familjes Birçaj. Gjatë qëndrimin si i ndaluar në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, 28-vjeçari është pyetur disa herë për ngjarjen, por përveçse ka pranuar autorësinë, ka refuzuar të tregojë emrat e personave që e kishin porositur. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe në seancën për caktimin e masës së sigurisë.
Rreth orës 21:30, të datës 18 dhjetor 2024, në lagjen “24 Maji”, në Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri 30-vjeçari Kevin Hajrulla, i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi Armand Spahiu, 35 vjeç, i cili ndodhej në afërsi të vendit të ngjarjes dhe u gjend mes të shtënave.
Të dy personat janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë. Personi që mbeti i plagosur rastësisht në ngjarje, nuk kishte rrezik për jetën, ndërsa Hajrulla u transportua për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, në gjendje kritike për jetën.
Sipas hetimeve të kryera dhe verifikimit të pamjeve filmike, Kevin Hajrulla ka qenë në lëvizje me mjetin e tij në momentin që është qëlluar. Ai po udhëtonte drejt lagjes “Çole” dhe sapo ka ulur pak shpejtësinë në një kthesë, ndaj tij është qëlluar me breshëri nga një automjet “Kia”. Sipas provave të grumbulluara në vendngjarje, dyshohet të jetë qëlluar të paktën 50 herë, nisur dhe nga gëzhojat e gjetura aty. Ndërsa mësohet se kanë qenë dy persona që kanë qëlluar me kallashnikov. Ndërsa personi i tretë drejtonte makinën. Pak momente pas krimit, makina është gjetur duke u djegur në fshatin Panaja dhe brenda saj janë gjetur edhe dy automatikët.
Kevin Hajrulla rezulton një person i pa skeduar më parë nga Policia. E megjithëse pa një të shkuar kriminale, emri i tij i ka drejtuar oficerët e grupit hetimor drejt një personazhi tjetër në Vlorë, i cili është i afërm i tij, Inez Hajrulla.
Ndërkohë, më 29 nëntor 2025, një sasi tritoli shpërthen në banesën e njërit prej personave të dënuar për atentatin e vitit 2019 ndaj Inez Hajrullës. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:40, në lagjen “Partizani” në Vlorë. Lënda plasëse ishte vendosur në derën e jashtme të banesës se Bakie Zotos, nënës së Gentjan Zotos, por fatmirësisht duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Burime nga grupi hetimor thanë se në hyrjen e pallatit nuk kishte kamera sigurie, por Policia ka sekuestruar pamje nga kamerat e bizneseve dhe ambienteve përreth, me qëllim identifikimin e autorit. Sipas hetimeve të kryera nga Policia dyshohej se shpërthimi mund të ketë qenë një mesazh për djalin e saj, Gentjan Zoton, i cili ndodhet në burg dhe është dënuar me 35 vite heqje lirie për atentatin e ndodhur në vitin 2019 në Lungomare të Vlorës ku shënjestër ishte Inez Hajrulla.
SKY ECC ishte një platformë komunikimi e përdorur gjerësisht nga organizatat kriminale në Europë. Mesazhet e koduara krijonin bindjen se komunikimi ishte i pa përgjueshëm. Por pas operacioneve ndërkombëtare të policisë, mijëra komunikime u zbërthyen. Në këto komunikime u zbuluan plane trafiku droge, koordinime për atentate dhe rrjete financiare të organizatave kriminale. Edhe ky grup kriminal, sipas hetimeve të SPAK, përdorte këtë sistem.
Më 31 tetor të vitit 2019, në Portin e Roterdamit sekuestrohet një sasi perj 750 kg kokainë e fshehur mes një ngarkese me banane që vinte nga Ekuadori. Për shumë kohë, hetimet nuk arritën të zbulonin asnjë identitet të personave të përfshirë në trafikimin e kësaj sasie droge. Ndërsa kishte dyshime se qëllimi final i trafikantëve ishte shpërndarja e saj në vende të ndryshme të bashkimit Europian.
Së fundmi, SPAK ka arritur të ketë dy të dyshuar në lidhje me këtë linjë trafiku. Flodian Plakun, të cilit i është komunikuar masa e arrestit në burg dhe Mendu Dukën, i cili është shpallur në kërkim. Megjithatë dyshohet të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë, që ende nuk janë identifikuar.
Gjatë hetimeve dhe analizës së komunikimeve të koduara në Sky, Byroja Kombëtare e Hetimit ka dokumentuar disa raste të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe sekuestrime të konsiderueshme. Në portin e Roterdamit në Holandë është sekuestruar një sasi prej 750 kilogramë kokainë, e porositur në Ekuador nga shtetasit Flodian Plaku (me disa identitete) në bashkëpunim me Mendu Duka dhe persona të tjerë të paidentifikuar, me destinacion vendet e Bashkimit Europian. Hetimet tregojnë se grupi kishte krijuar një mekanizëm financiar të sofistikuar për financimin dhe transportin e drogës.
Ky është momenti kur forcat operacionale prangosën në një hotel në Orikum të Vlorës, 42-vjeçarin Flodian Plaku.
I konsideruar si një person me rrezikshmëri të lartë, i dyshuar për krime brenda dhe jashtë vendit, Plaku u arrestua gjatë operacionit të koduar “Eterna”.
I njohur edhe me 2 emra të tjerë, por edhe me pseudonimin “Pole Qorri”, ai po mbahej në vëzhgim prej disa ditësh nga forcat operacionale, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Gentian Bejtes më 15 mars të vitit 2024 në Larushkë të Fushë-Krujës.
Duke mbajtur në vëzhgim personat që e ndihmonin teksa i shmangej drejtësisë, Policia ra në gjurmët e tij dhe më 3 gusht 2025 e arrestoi.
Gjatë ndërhyrjes policore në hotelin ku fshihej, së bashku me Flodian Plakun, u kap edhe Julian Aliaj alias Julian Pashaj, 43 vjeç, i cili gjatë operacionit u kap me një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë, por edhe 3 persona të tjerë që i kishin ardhur në ndihmë gjatë arratisë.
Nga hetimet rezultoi se Albano Lapshi, 36 vjeç, banues ne Vlorë, Armandoi Dano, 31 vjeç banues ne Vlore dhe Ligor Doko, 57 vjeç, banues në Tiranë, kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e të kërkuarit për vrasje. Ata u arrestuan ne flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Njëri ishte personi që i dërgonte ushqim në dhomën ku strehohej, tjetri ishte pronari i hotelit, ku edhe u arrestua, ndërsa personi i tretë, për të cilin gjykata vendosi masën “detyrim paraqitje”, ishte berberi, nga ku edhe u ndoq derisa u arrestua.
Flodian Plaku ndodhet në burg, pasi është një prej të dyshuarve në lidhje me vrasjen e Gentian Bejtes. Sipas dosjes së SPAK ka prova të mjaftuashme, që e përfshijnë atë në këtë ngjarje.
Nga akti i ekspertimit vlerësues, i datës 21 mars 2024, është konkluduar se në sipërfaqen e objekteve të ekspertimit, fiksuar si provë materiale në këqyrjen e automjetit “Golf” me targa AB960GG, ndodhen 12 gjurmë papilare të vlefshme për identifikim. Eshtë administruar akti i ekspertimit daktiloskopik vlerësues i provave materiale dhe rezulton se, një nga gjurmët e fiksuara në makinë, sipas të dhënave që ndodhen në database, në sistemit AFIS/APIS , është formuar nga pëllëmba e dorës së Edison Haxhiut.
Nga mostra biologjike të ekzaminuara me analizën e AND-së, përgatitur nga materiali i fiksuar në makinë, në dorezën mbajtjëse të pasagjerit prapa djathtas dhe doreza e derës së pasagjerit të dyte djathtas, u përftuar profil gjenetik miks i vlefshëm per krahasim me analizën e AND-së.
Nga kontrolli i kryer, në bazën e të dhënave CODIS, në Sektorin e Biologjisë, rezulton profili gjenetik i shtetasit Flodian Nustret Serjani, i cili përfshihet në profilin gjenetik miks të përftuar nga materiali i fiksuar në në dorezat e makinës tip “Golf”. Po kështu, në të njëjtën u zbulua edhe profili gjenetik i Ilir Beqarajt.
Nga akti i ekspertimit biologjik i AND-së me nr. 3619, datë 28.05.2024, është konkluduar se: Profili gjenetik i shtetasit Flodian Nusret Serjani, përfshihet në profilin gjenetik miks përgatitur nga materialet e marrë në dorezën mbajtëse të pasagjerit prapa djathtas dhe dorezën e pasagjerit të dytë djathtas, gjatë këqyrjes se mjetit me traga AB 960 GG, në pronësi të Edison Haxhiut. Ndërsa profil gjenetik i shtetasit Ilir Beqaraj përfshihet në profilin gjenetik miks të përgatitur nga materiali i përftuar nga doreza rregulluese e pasagjerit para dhe doreza e derës së parë të pasagjerit, marrë gjatë këqyrjes se të njëjtit automjet. Pra, në automjetin “Golf” me ngjyre të zezë, me targa AB960GG, në pronësi të Edison Petrit Haxhiut, arrestuar në datë 19.03.2024, që është përdorur nga autorët për t’u larguar menjëherë pas djegies së automjeti markës “Land Rover”, në fshatin Hasan, Fush-Krujë, është përftuar profil gjenetik i shtetasëve Ilir Sadik Beqaraj, alias Ilir Brahimi, alias Ilir Mançellari, arrestuar në datë 19.03.2024, dhe Flodian Nustret Plaku, alias Flodian Serjani, alis Flodian Mamo, të cilët dyshohen se kanë patuar rol në ekzekutimin e shtetasit Gentian Bejtja, më datë 15.03.2024, në fshatin Larushkë, Fush – Krujë.
Nga veprimet hetimore të kryera organi akuzës ka pretenduar se ditën e ngjarjes Ilir Brahimi rezulton se ka qenë në drejtimin e mjetit “Golf” me targa AB 960 GG dhe po kështu rezulton se në këtë automjet janë gjetur gjurme AND-je të Flodian Plakut. Sipas Prokurorisë ka ekzistuar dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, të cilat në unitetin e tyre tregojnë se pjesëmarrës në ngjarje është personi i dyshuar Flodian Plaku. Sipas provave, Ilir Beqaraj dhe Flodian Plaku kanë konsumuar veprat penale të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
Tashmë ndaj Flodian Plakut është hapur edhe një dosje tjetër, ajo e përfshirjes në grup të strukturuar kriminal dhe trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.
Pjesë e së njëjtës dosje të SPAK, është edhe një episod tjetër trafiku droge. Rreth 14 kilogramë kokainë të sekuestruara nga Policia Greke në Patra, brenda një kamioni që udhëtonte nga Holanda. Nga komunikimet rezulton se në këtë mjet transportohej edhe një ngarkesë tjetër droge me destinacion Italinë. Sipas SPAK transport është organizuar nga Argest Xheza, i shpallur në kërkim, në bashkëpunim me persona të tjerë.
Në një tjetër rast, bëhet fjalë për 400 kilogramë kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor të vitit 2020. Sasi që është sekuestruar nga autoritetet gjermane. Sipas hetimeve, porositës dhe posedues të kësaj sasie dyshohen të jenë shtetasit Rezart Kuçi, oficer policie , i cili më parë ka mbajtur detyra në Policinë e Vlorës, Fierit, Tiranës dhe Kukësi dhe Arben Memishaj, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit kriminal, të cilët kishin investuar edhe në mjete lundruese për transport të drogës.
Po ashtu janë dokumentuar edhe sekuestrime të lëndëve narkotike të llojit kanabis sativa, përfshirë 227 kilogramë të sekuestruara në pikën doganore Ipsala në Turqi në korrik të vitit 2020 dhe rreth 500 kilogramë të sekuestruara në vendkalimin kufitar Bogorodicë në Maqedoninë e Veriut, në mars të vitit 2021, të cilat dyshohet se transportoheshin me kamionë drejt Turqisë përmes Greqisë.
Sipas hetimeve, grupi kriminal kishte ngritur mekanizma të sofistikuar financiarë për të realizuar pagesat dhe për të financuar blerjen e lëndëve narkotike në Amerikën Latine, ndërsa transporti kryhej përmes rrugëve detare dhe tokësore drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Një nga elementët më të rëndë të hetimit është përfshirja e një oficeri policie në këtë grup të strukturuar kriminal. Ky është Rezart Kuçi, i cili aktualisht mbante detyrën e shefit të seksionit në Policinë Shkencore pranë Drejtorisë së Policisë Kukës. Ndërsa më herët ka shërbyer në pozicione të ndryshme në Polici, si zëvendës shef Komisariati dhe shef për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, apo edhe në Komisariatin nr.1, në Tiranë.
Në këtë dosje të SPAK ai akuzohet se ka siguruar informacione kofidenciale për llogari të grupit kriminal të Inez Hajrulla; fshinte të dhëna nga telefonat; ndihmonte logjistikën e trafikut. Për hetuesit kjo tregon një nivel të lartë infiltrimi të krimit në institucione.
Ai është arrestuar gjatë operacionit të 7 marsit 2026, në zbatim të masës “arrest me burg”, dhënë në mungesë nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Rezart Kuçi, me detyrë oficer policie, dyshohet se ka përdorur funksionin e tij për të ndihmuar aktivitetin kriminal, duke: siguruar logjistikë për transportin e lëndëve narkotike; nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore; ndërhyrë në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin; përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal; përdorur komunikim të koduar në aplikacionin SKY. Ky operacion është realizuar falë një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar mes SPAK, Europol, Eurojust, DEA dhe agjencive ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Europian. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale si dhe për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Nga 8 masat e sigurisë që ka vendosur në mungesë Gjykata e Posaçme, vetëm 3 janë ekzekutuar gjatë operacionit që u zhvillua më 7 mars. Është arrestuar oficeri i Policisë Rezart Kuçi, i është komunikuar masa e arrestit në burg edhe Flodian Plakut dhe Hamëz Demushi, një ish-punonjës Policie që është arrestuar në Zvicer.
Demushi ishte arrestuar edhe më 20 shkurt të vitit 2015, i dyshuar si pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës në drejtim të Kosovës. Në atë kohë ai ishte me gradën kryeinspektor, me shërbim në Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit nr.3. Pas një hetimi të nisur ndaj tij prej afro 9 muajsh, ai u kap në flagrancë, pasi në banesën e tij, pranë Unazës së Madhe, u gjet rreth 3.6 kg lëndë narkotike kokainë dhe 0.5 kg heroinë. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme thanë në atë kohë se ky punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë në kohë dhe vende të ndryshme kanë trafikuar në drejtim të Kosovës lëndë narkotike të llojeve të ndryshme.
Në tetor të vitit 2016 Demushi përfitoi përgjysmimin e masës së dënimit nga Gjykata e Apelit. Ish-efektivi i Policisë, ishte dënuar me 8 vjet burg për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Në 7 tetor 2016, një trupe gjykuese e Apelit, la në fuqi deklarimin e fajshëm të Demushit, por ndryshoi masën e dënimit, duke e dënuar atë përfundimisht me 4 vjet heqje lirie. I pandehuri Hamëz Demushi ka punuar me korrektese pranë Sektorit të Hetimit në Mbulim të Drejtorisë Operacionale dhe ai ka rrezikuar dhe jetën”, shkruhej në vendimin e Gjykatës.
Ky hetim ka zbuluar vetëm një pjesë të aktivitetit të këtij grupi. Dosja përfshin: atentate, trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe ka edhe shumë bashkëpunëtorë të paidentifikuar.
Por hetimet vazhdojnë. Sepse sipas SPAK, rrjetet kriminale që veprojnë në Europë janë gjithnjë më të sofistikuara. Ato komunikojnë në platforma të koduara. Lëvizin para në disa kontinente.
Dhe shpesh arrijnë të depërtojnë edhe në institucione. Operacioni i SPAK dhe BKH është një përpjekje për të goditur një prej këtyre rrjeteve.
Por beteja me krimin e organizuar mbetet ende e gjatë.
Kjo dosje flet për kodet e një rrjeti kriminal që vepronte mes Shqipërisë dhe Europës.
Edhe pse personazhi kryesor, Inez Hajrulla, nuk u arrit të arrestohet. Siç i kishte shpëtuar atentateve, ai arriti t’u shpëtojë edhe prangave. Rastësi apo jo, kjo mbetet për t’u provuar. Bashkë me krahun e tij të djathtë, Ervis Matodashaj, ai nuk u arrestua gjatë operacionit të 7 marsit 2026. Ashtu sikurse edhe në një tjetër operacion për arrestimin e tij, që u zhvillua më 23 shkurt të vitit 2023.
Fati e shpëtoi 3 herë nga plumbat e eksplozivi, por pak kush e beson se fati mund ta ketë shpëtuar edhe nga arrestimi. Ashtu siç tashmë del edhe nga hetimet e SPAK, duket se Inez Hajrulla gjithmonë ka pasur lidhjet e duhura në Polici. Abcnews


