Qindra përgjime/ Prokuroria e Përgjithshme publikon raportin e 2025: 1642 subjekte nën ‘lupë’

Sipas një raporti të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, janë publikuar të dhënat mbi numrin e procedimeve penale të regjistruara në vitin 2025 në prokuroritë e shkallës së parë në vend.
Në total, Prokuroria e Tiranës kryeson me 9904 procedime penale, e ndjekur nga Durrësi me 2573 dhe Korça me 2023 procedime. Në qarqet e tjera shifrat variojnë nga 644 në Dibër deri në 1976 në Shkodër, duke reflektuar ngarkesë të lartë të sistemit të ndjekjes penale në rang vendi.
Raporti ndalet edhe te përdorimi i përgjimeve elektronike si mjet hetimor, i cili gjatë vitit 2025 është përdorur në 356 procedime penale.
Janë realizuar përgjime për 1771 pajisje që i përkasin 1642 subjekteve, ndërsa janë ekzekutuar 822 vendime gjykate dhe 406 urdhra të prokurorëve.
Në rekomandimet e tij, sistemi i prokurorisë thekson nevojën për forcim të kapaciteteve profesionale, menaxhim më efikas të ngarkesës së punës, rritje të përdorimit të teknologjisë, përmirësim të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritje të mbikëqyrjes mbi policinë gjyqësore.
Po ashtu, prioritet mbetet krijimi i task-forcave për krime komplekse, standardizimi i hetimeve, forcimi i disiplinës dhe përdorimi më efektiv i fondeve dhe infrastrukturës në sistemin e drejtësisë/TCH


