Rama paralajmëron: Zënia e territorit apo rrugëve me pretendimin “prona ime” do ndiqet penalisht

Politikë

Rama paralajmëron: Zënia e territorit apo rrugëve me pretendimin

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot prerazi se çdo veprim për të bllokuar rrugë apo hapësira publike me pretendimin “është prona ime” do të konsiderohet një vepër penale.

Në një dalje publike, ai tha se nuk do të tolerohen më raste të individëve që vendosin pengesa apo barriera në territore të përbashkëta urbane, duke kërkuar përfitime financiare nga banorët për të kaluar apo përdorur një zonë.

“Kush vendos një tra mes pallateve dhe kërkon para në emër të pronës, do përballet me ligjin,” – u shpreh Rama.

Ai theksoi se kjo nuk është praktikë që ndodh në asnjë vend të civilizuar dhe shtoi se edhe bashkëpronësia e truallit rreth pallateve do të rishikohet.

“Nëse trualli ndahet për ndërtimin e një pallati, pjesa që nuk përfshihet në strukturën ndërtimore nuk i përket më pronarëve të truallit. Do të ndërhyjmë për të rregulluar këtë me ligj dhe do të rishikojmë të gjitha dokumentet që janë në kundërshtim me këtë logjikë.”

Rama nënvizoi se masat ligjore do të përfshijnë rishikimin dhe përmbysjen e dokumenteve që janë lëshuar në kundërshtim me frymën e bashkëjetesës urbane dhe interesin publik.

ME TE LEXUARAT