Rama: Të gjitha ndërtimet pa leje do sekuestrohen, do përdoren për interes publik dhe strehim social
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një tjetër masë të fortë ndaj ndërtimeve pa leje, duke deklaruar se të gjitha objektet që janë ndërtuar në kundërshtim me ligjin do t’i kalojnë shtetit dhe do të vendosen në funksion të interesit publik.
“Nuk do tolerohet më ndërtimi i kateve shtesë për përfitim. Këto janë shkelje në vazhdim dhe do sekuestrohen. Në rast se ka blerës të pafajshëm, ata do mbrohen, por pjesa tjetër do të përdoret për strehim social dhe nevoja të tjera publike,” tha Rama.
Ai shtoi se do të konfiskohen edhe ndërtesat e braktisura, si dhe do të mbyllet njëherë e mirë praktika e abuzimit me tejkalimin e kufijve të lejeve të ndërtimit.
Rama paralajmëroi dhe aktorët brenda sistemit të drejtësisë, të cilët sipas tij kanë qenë bashkëpunëtorë në shkeljet me lejet e ndërtimit. Ai theksoi se historia e të drejtës për të zhvilluar është abuzuar rëndë dhe tashmë qeveria do të marrë masa të qarta dhe të pakthyeshme.