Rreth 1 mln euro cash të sekuestruara, operacioni ndaj call centera-ave në Tiranë: 4 ambiente të ndryshme

Aktualitet

Rreth 1 mln euro cash të sekuestruara, operacioni ndaj call centera-ave

Detaje të reja kanë dalë nga operacioni i zhvilluar ndaj call center-ave në Tiranë, ku autoritetet kanë zgjeruar hetimet dhe kanë rritur numrin e masave të sigurisë.

Sipas burimeve, janë caktuar 9 masa sigurie, ndërsa kontrollet janë ushtruar në 3 call center-a që operonin në 4 ambiente të ndryshme, me një kapacitet prej rreth 300 poste pune.

Hetimet kanë zbuluar se këto struktura dyshohet se mashtronin shtetas të huaj, kryesisht nga Austria, Italia, Spanja, Greqia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë operacionit janë shoqëruar disa persona, ndërsa ende nuk është vendosur nëse ndaj tyre do të caktohen masa të mëtejshme sigurie.

Një nga elementët më të rëndësishëm të aksionit është sekuestrimi i një shume të konsiderueshme parash, që sipas burimeve arrin në rreth 1 milion euro cash.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se dy prej ambienteve të kontrolluara ndodheshin në një qendër biznesi në Rrugën e Kavajës, zonë ku ishte përqendruar një pjesë e aktivitetit të këtyre call center-ave.

Operacioni vijon, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e plotë të personave të përfshirë dhe dokumentimin e aktivitetit të dyshuar kriminal.

ME TE LEXUARAT