Rritja e çmimit, shkodranët në Mal të Zi për naftë, fluks i lartë automjetesh në pikën doganore të Muriqanit

Rritja e çmimit të naftës, që në pikat e karburantit tregtohet me pakicë prej së shtunës me 218 lekë për litër ka reflektuar një shtim të qytetarëve që i drejtohen pikave kufitare, për t’u furnizuar me karburant në vendet fqinj, ku çmimi është më i ulët.
Qytetarët kryesisht nga Shkodra i drejtohen doganës së Muriqanit për të furnizuar mjetin e tyre. Çmimi prej 1.7 euro për litër ka bërë që shkodranët t’i drejtohen kësaj pike të kalimit të kufirit, ku vetëm 10 km nga Muriqani është pika më e afërt e furnizimit me naftë.
Sipas të dhënave nga terreni, dogana e Muriqanit ka regjistruar një fluks të lartë automjetesh në dalje.
Ndërkohë që bëhet me dije se janë rritur kontrollet, duke vendosur kufi deri në 50 euro të mbushjes së naftës dhe kontrolle për mmbushjen e bidonëve.
Prej nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, vendi ynë po përballet me rritje të ndjeshme edhe të çmimit të benzinës e gazit. Po ashtu efekt, ka patur edhe çmimet e produkteve ushqimore./Shqiptarja


