Shembjet e rrugëve izolojnë juglindjen, ambientalisti: Ndërhyrjet agresive në Shkumbin rrezikuan strukturën…

Aktualitet

Shembjet e rrugëve izolojnë juglindjen, ambientalisti: Ndërhyrjet

Ambientalisti Lavdosh Ferruni, në një lidhje të drejtpërdrejtë në një studio televizive ka folur për shembjet e fundit në juglindje të vendit dhe situatën shqetësuese në zonën e Lumi Shkumbin, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si janë realizuar ndërhyrjet infrastrukturore.

Ferruni theksoi se për investime të mëdha infrastrukturore duhet të kryhet paraprakisht një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis, gjë që sipas tij ka munguar. “Ajo që duhet të ishte bërë është një vlerësim i ndikimit në mjedis kur bëhen investime të mëdha. Nuk kam dëgjuar të jetë zhvilluar një debat paraprak për strukturën gjeologjike të akseve përkatëse,” u shpreh ai.

Sipas ambjentalistit, ndërhyrjet e fundit në lumin Shkumbin kanë qenë të dukshme dhe agresive, duke krijuar shqetësim për pasojat e mundshme. Ai deklaroi se gjatë kalimit në zonë, inertet e lumit dhe ndryshimet e bëra jepnin sinjale se mund të ndodhte një problem serioz.

“Duke shkatërruar natyrën në një pjesë të tillë dhe në këtë mënyrë siç ka ndodhur aty, struktura gjeologjike e këtij aksi, e cila ka pasur probleme vazhdimisht, është vënë në rrezik,” tha Ferruni.

Ai shtoi se rruga ekzistuese në atë segment ishte ndërtuar mbi parametra që mbështeteshin në studime të kryera dekada më parë, ndërsa ndërhyrjet e fundit, sipas tij, janë bërë pa studime të thelluara, sidomos në një zonë me ndjeshmëri të lartë gjeologjike.

Shoqata që ai përfaqëson kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse, jo vetëm për rikthimin e qarkullimit rrugor – të cilin Ferruni e cilësoi si një situatë të paprecedentë në dekada – por edhe për një vlerësim të plotë të ndikimit mjedisor dhe përgjegjësive për ndërhyrjet e kryera./Shqip

ME TE LEXUARAT