Shkaktoi aksidentin tragjik në Durrës, familja braktis në gjyq Nikoll Radaçin

Nikoll Radaçi ka dalë sot para Gjykatës së Durrësit për të mësuar masën e sigurisë që do caktohet ndaj tij, pas aksidentit tragjik në Durrës.
Por duket se pas ngjarjes së rëndë, Radoçi është braktisur dhe nga familja e tij.
Asnjë prej tyre nuk është paraqitur në komisariat pas ndalimit të tij, e po ashtu as sot në dyert e Gjykatës nuk ka asnjë njeri në mbështetje të tij.
Ditën e djeshme, policia i zhvendosi familjarët e Radaçit nga banesa ku jetonin, për të shmangur çdo incident të mundshëm me familjarët e viktimave. Banesa e Nikoll Radaçit ishte vetëm pak metra larg banesës së viktimave dhe vendit ku ndodhi aksidenti tragjik me dy viktima dhe një të plagosur.

Nikoll Radaçi përplasi për vdekje Enean, 12 vjeç dhe Klesin, 9 vjeç, ndërsa la të plagosur rëndë Arbionin, 8 vjeç. Ai ishte duke drejtuar makinën nën efektin e alkolit dhe me shpejtësi skëterë ka marrë para djemtë që po luanin në trotuar, në lagjen e tyre.
Banorët e zonës thonë se Radaçi ishte problematik në qarkullim dhe disa herë më parë qenë ankuar në polici. Ai ishte ndëshkuar nga Policia Rrugore për shkelje të rregullave të qarkullimit.
Ngjarja tragjike ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik. Një ditë më parë, edhe në Kuvend u kërkua ashpërsim i masave në Kodin Rrugor për raste të tilla.


