Takimi i fshehtë me Ulajn, banorja e Rrjollit: Na thirri në zyrë për një ofertë të njëanshme! Duan të na trembin

Aktualitet

Takimi i fshehtë me Ulajn, banorja e Rrjollit: Na thirri në zyrë

Prej 5 javësh, banorët e Rrjollit protestojnë çdo ditë kundër ndërtimit të resortit të ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj. Më 28 shkurt, pati edhe një përplasje të fortë mes tyre dhe policisë që më pas çoi edhe në vetëdorëzimin e 11 banorëve, të shpallur në kërkim.

Por ajo që ndodh në prapaskenë është edhe më tronditëse. Edhe pse deri në këtë moment Bashkim Ulaj pretendon se dokumentacioni i tij është i rregullt, veprimet e tij nuk reflektojnë të njëjtën gjë. Në një lidhje direkte, banorja e Rrjollit Luçiana Kokaj thotë se në rrjetet sociale të Gener 2 thuhet se “me dhunë nuk i ndryshon dot dokumentacionet”.

Në këtë pikë, ajo ngre pyetjen: “Nëse nuk jemi pronarë, pse Ulaj na thirri në zyrë?”, duke zbuluar takimin ku banorëve iu ofrua një marrëveshje e panegociueshme për 150 dynymë nga botuesi pranë familjes Berisha, ndërkohë që sipërfaqja e ndërtimit është 1500 dynymë.

Luçiana Kokaj: Gener 2 për një gjë është shumë i vetëdijshëm: po qe se ne nuk do të ishim pronarë, nuk do të na kishte thirrur për të na takuar. Na ka thirrur 3 herë në zyrë për të na takuar, për të gjetur një zgjidhje. Nëse ne nuk do të ishim pronarë, pse do të na thërriste?

-Jeni thirrur me pronarin faktik të Gener 2, z. Ulaj apo kanë qenë përfaqësues?

Luçiana Kokaj: Jo, ka qenë z. Ulaj në zyrë.

-Keni zhvilluar tre takime?

Luçiana Kokaj: Po. Takimi i parë kanë qenë të gjitha fiset veç e veç që kanë folur dhe i dyti e i treti, një përfaqësues për fis.

-Si ka qenë reagimi i tyre?

Luçiana Kokaj: Ata bënë një ofertë të njëanshme. Ata duan që oferta e tyre, të bëjnë negociata për 150 dynymë, ndërkohë që në letër kanë 1500 dynymë leje ndërtimi, gjë që ne absolutisht s’mund ta pranojmë që ti të më paguash 10% të tokës dhe të më shfrytëzosh gjithë tokën sepse nëse ajo sipërfaqe është futur në leje ndërtimi, ajo tokë është ezauruar. Çdo investitor e di këtë. Marrëveshja që është ofruar nga Gener 2 ka qenë komplet e njëanshme, me kushte të paracaktuara nga ata dhe pa mundësi negocimi nga ana jonë.

Kokaj thotë se protesta dhe rezistenca e hekurt nuk do të reshtë, pavarësisht përpjekjeve për t’i trembur banorët.

“Do të vazhdojmë derisa e drejta të dalë. Do të vazhdojmë të rezistojmë çdo ditë. Kjo që bënë këtë herë me arrestimet, shoqërimet, shpalljet në kërkim dhe hetimet ka ditë që ndodh, thjesht u bë pak më e madhe dhe po tentojnë ta bëjnë pak më të madhe për të na trembur, por nuk jemi të trembur”, thotë banorja./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT