Ulsi Manja për akuzat ndaj Ballukut: Shkelje e barazisë në tendera nuk është vepër korruptive

Në emër të anëtarëve të shumicës në Këshillin e Mandateve, deputeti Ulsi Manja prezantoi raportin lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Manja kujtoi se kallëzimi i parë penal është bërë në gusht të vitit 2024 nga ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa një kallëzim i dytë është depozituar në shtator të të njëjtit vit nga Gazment Bardhi. Sipas tij, më pas në vitin 2025 këto dy procedime janë bashkuar në një procedim të vetëm penal, i cili tashmë ka një numër unik dhe mbi bazën e të cilit po zhvillohen hetimet.
Manja theksoi gjithashtu se kallëzimet e vitit 2024, të cilat lidhen me veprën penale “shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, përkojnë me një periudhë parazgjedhore. Ai shtoi se kjo vepër penale nuk klasifikohet si korrupsion, por si një vepër me natyrë administrativo-penale.
“Në lidhje me faktin nëse kërkesa është bërë nën ndikime politike. Ndonëse mbrojtësit e Ballukut nuk bënë pretendime, ama këshilli konstaton një fakt publik, kallëzimi i bërë në gusht 2024 është bërë nga Lulzim Basha ish kryetar i PD. Kallëzimi i dytë në shtator 2024 nga Gazment Bardhi, i cili ka qenë në kushtet e konfliktit të pastër të interesit .Më vonë pastaj në 2025 këto dy procedime penale janë bashkuar në një procedim penal dhe që sot mban një numër unik procedimi mbi bazën e të cilit po zhvillohen hetimet.
Viti 2024 kohë kur u bënë kallëzimet për veprat penale shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike, që nuk është një vepër korruptive, por është një vepër me natyre administrativo penale, koincidon me një periudhë parazgjedhore”, tha nder të tjera Manja.


