“Vazhdo, vazhdo, largohu shpejt” Çfarë pa kushëriri i Renis Dobrës natën e rrëmbimit të 23-vjeçarit? Detaje tronditëse
Emisioni “Në Shënjestër” trajtoi këtë të martë, rrëmbimin dhe më pas ekzekutimin e 23-vjeçarit Renis Dobra, trupi i të cilit u gjet në liqenin e Shkopetit.
Nga të dhënat e dosjes hetimore, mësohet se i fundit që e pa gjallë Renisin ishte një i afërm i tij i cili pavarësisht orëve të vona të mbrëmjes, dhe dritave të gjata të makinës që kishte ndaluar në anë të rrugës, arriti të shquajë makinën e Renisit, teksa ishte e ndaluar vetëm pak metra larg banesës së tij nga një tjetër automjet, nga ku në rrugë dalloheshin dy persona të panjohur për ta.
Që në momentin e parë ata i identifikuan si efektivë policie. Por ndërsa u përpoqën të mësonin mbi arsyet e ndalimit të njeriut të tyre, njëri prej tyre në formë urdhërore u kërkoi vizitorëve të padëshirur në këtë skenë, që të largoheshin menjëherë nga aty
Më datë 8 Korrik unë bashkë me gruan dhe familjen kemi qenë duke udhëtuar nga Burreli drejt fshatit Zenisht. Me të shkuar te vendi i quajtur Kroi i Sucit, unë pashë makinën e Renisit të ndaluar në anë të rrugës. Ishin ndaluar dhe dy makina të tjera. Ndalova të pyes se çfarë kishte ndodhur. Por njëri nga personat më tha: ‘Vazhdo, vazhdo, largohu shpejt’, është shprehur kushëriri i viktimës.
Por edhe pse në pamje të parë dukej si një shoqërim i rëndomtë policie, të afërmit e Renis Dobras, dyshuan se diçka nuk shkonte te uniformat dhe mjetet me të cilët të ashtëquajturit efektivë të policisë kishin mbërritur pranë fshatit dhe kishin ndaluar automjetin e njeriut të tyre.
Për këtë arsye ata ngritën alarmin dhe lajmëruan menjëherë babain e 23-vjeçarit, që ndërkohë ishte marrë me makinë dhe ishte larguar gjithmonë në mendimin e parë të atyre që ishin të pranishëm në vendngjarje, në rajonin e policisë.
Prindërit e Renisit të cilët me të mësuar lajmin se i biri mund të ishte ndaluar nga policia, rendën nga fshati Zenisht ku banonin drejt komisariatit të policisë në Burrel, për të mësuar arsyet përse djali i tyre ishte shoqëruar në polici./bw