VKM/ Miratohet shpërblimi financiar për të rinjtë në Programin e Talenteve Rinore, cilat janë kriteret e përfitimit

Këshilli i Ministrave ka vendosur miratimin e rregullave për organizimin, të kritereve, të mënyrës së mbështetjes dhe të masës së shpërblimit financiar për të rinjtë në Programin e Talenteve Rinore.
Kandidati merr kompensim të shpenzimeve ose shpërblim financiar në bazë të arritjes, vetëm një herë. Në rast se ai arrin të marrë pjesë në një veprimtari ndërkombëtare të nivelin më të lartë, mund të aplikojë sërish për mbështetje financiare. Mbështetja parashikohet gjithashtu edhe për shoqëruesin, por përfitimi i saj për palët përjashtohet nëse shpenzimet mbulohen nga organizata.
Për të përfituar mbështetjen, kandidati duhet të jetë me nënshtetësi shqiptare, i përzgjedhur për të përfaqësuar vendin në fushën e arsimit, sportit, artit, kulturës, shkencës apo teknologjisë nga institucione, organizata apo rrjete panevropiane.
Kandidatët që kanë përparësi të veçantë janë ata që kanë statusin jetim, pa kujdestari prindërore, me aftësi të kufizuara, statusin “viktimë trafikimi”/“viktimë e mundshme trafikimi”, i përket pakicave, gëzon statusin e “Fëmijës në përkujdesjen e Republikës”, është pjesë e një familjeje që merr ndihmë ekonomike apo nën kujdestari të përkohshme.
V E N D I M PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR ORGANIZIMIN, TË KRITEREVE, TË MËNYRËS SË MBËSHTETJES DHE TË MASËS SË SHPËRBLIMIT FINANCIAR PËR TË RINJTË NË PROGRAMIN E TALENTEVE RINORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 16/1, të ligjit nr.75/2019, “Për rininë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka si objekt miratimin e rregullave për organizimin e Programit të Talenteve Rinore (në vijim, Programi), si dhe të kritereve, të mënyrës së mbështetjes dhe të masës së shpërblimit financiar për të rinjtë përfitues në program.
2. Programi zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Rinisë (në vijim, AKR-ja), në bazë të thirrjeve për aplikim për të rinjtë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
3. AKR-ja bashkëpunon me institucionet publike brenda vendit dhe me misionet diplomatike apo postet konsullore jashtë vendit për zbatimin e mbarëvajtjen e këtij programi.
4. Programi financohet nëpërmjet fondit grant të dedikuar për rininë, miratuar në ligjin vjetor të buxhetit, si dhe nga donacione ose të ardhura të tjera, nga burime të ligjshme. AKR-ja financon pjesëmarrjen e të rinjve në kompeticionet e veprimtaritë zyrtare ndërkombëtare (në vijim, veprimtaria ndërkombëtare) dhe jep shpërblim financiar, bazuar në rezultatet e arritura prej tyre në veprimtaritë ndërkombëtare.
5. AKR-ja bashkëpunon me ministrinë përgjegjëse për punët e jashtme dhe përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, kur nevojitet verifikimi i organizatorëve dhe i veprimtarisë ndërkombëtare apo për lehtësimin e pjesëmarrjes së të rinjve në vendin pritës.
6. Ministria përgjegjëse për punët e jashtme, në bazë të vlerësimit, përfshin përfituesit e këtij programi në aktivitetet publike të misioneve diplomatike apo posteve konsullore jashtë vendit për të promovuar arritjet e tyre dhe imazhin e Shqipërisë në platformat ndërkombëtare.
II. KRITERET, MËNYRA E MBËSHTETJES DHE MASA E SHPËRBLIMIT FINANCIAR PËR PËRFITUESIT E PROGRAMIT
1. Kandidati ka të drejtë të përfitojë mbështetje financiare nga Programi, nëse plotëson në mënyrë kumulative kriteret e përgjithshme dhe një nga kriteret e posaçme, sipas përcaktimeve të pikave 2, 3 dhe 4 të këtij kreu.
2. Kriteret e përgjithshme për përfitimin e mbështetjes nga Programi janë, si më poshtë vijon:
a) Kandidati i përket grup-moshës rinore të përcaktuar në shkronjën “f”, të nenit 3, të ligjit nr.75/2019, “Për rininë”, të ndryshuar;
b) Kandidati është shtetas shqiptar.
3. Kriteret e posaçme për përfitimin e mbështetjes nga Programi janë, si më poshtë vijon:
a) Kandidati është përzgjedhur për të përfaqësuar vendin në veprimtarinë ndërkombëtare në fushën e arsimit, në bazë të konkurrimit në nivel kombëtar, të organizuar apo të njohur nga ministria përgjegjëse për arsimin parauniversitar;
b) Kandidati është përzgjedhur për të përfaqësuar vendin në një veprimtari ndërkombëtare të sportit individual, në bazë të konkurrimit në nivel kombëtar, të organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ose nga një federatë sportive shqiptare;
c) Kandidati është përzgjedhur për të marrë pjesë në një veprimtari ndërkombëtare në fushën e artit, të kulturës, të edukimit, të shkencës e të teknologjisë të organizuar nga:
I. një organizatë ndërqeveritare;
II. një qeveri e njohur ndërkombëtarisht;
III. një nga 100 (njëqind) universitetet më të mira në botë, sipas fushës specifike të edukimit që përkon me fushën e veprimtarisë ndërkombëtare nga “Times Higher Education” – renditja botërore e universiteteve;
IV. një nga 500 (pesëqind) ndërmarrjet më të mëdha në botë, sipas renditjes botërore “Fortune 500”, për vitin e aplikimit;
V. rrjetet panevropiane të organizatave kulturore dhe krijuese, mbështetur nga Programi i Evropës Krijuese i Bashkimit Evropian.
ç) Kandidati është përzgjedhur si delegat zyrtar rinor ose nga programe të ngjashme përfaqësimi për të rinjtë të ngritura nga organizatat ndërqeveritare;
d) Kandidati është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë ose trashëgiminë e saj kulturore, arsimore, shkencore, teknologjike apo sportive në veprimtarinë e organizuar një vend tjetër të konfirmuar nga misioni diplomatik apo posti konsullor i Republikës së Shqipërisë në vendin përkatës.
4. Kandidati që plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu, mbështetet me përparësi në Program, nëse u përket grupeve të veçanta, si më poshtë vijon:
a) Ka statusin jetim;
b) Ka humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë;
c) Është person me aftësi të kufizuara;
ç) Është person që ka statusin “viktimë trafikimi”/“viktimë e mundshme trafikimi”;
d) I përket pakicës kombëtare rome dhe egjiptiane;
dh) Gëzon statusin e “Fëmijës në përkujdesjen e Republikës”;
e) I përket një familjeje në skemën e ndihmës ekonomike;
ë) Është fëmijë i vendosur në shërbimin e kujdestarisë së përkohshme.
5. Programi mbështet kandidatin, që përmbush kriteret e përcaktuara pikën 1 të këtij kreu, në mënyrat, si më poshtë vijon:
a) Nëpërmjet kompensimit të shpenzimeve të pjesëmarrjes në veprimtarinë ndërkombëtare;
b) Nëpërmjet dhënies së shpërblimit financiar, bazuar në rezultatin e arritur në veprimtarinë ndërkombëtare.
6. Kandidati ka të drejtë të përfitojë mbështetje financiare nga Programi, sipas mënyrave të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 5, të këtij kreu, vetëm një herë gjatë zbatimit të një thirrjeje vjetore.
7. Përjashtimisht, kandidati ka të drejtë të përfitojë mbështetje financiare më shumë se një herë, gjatë së njëjtës thirrje vjetore, nëse në bazë të rezultatit të arritur në veprimtarinë ndërkombëtare, për të cilën ka përfituar financimin e Programit, i lind e drejta të marrë pjesë në një veprimtari ndërkombëtare të një niveli më të lartë. Në këtë rast, kandidati i nënshtrohet procedurës së aplikimit për përfitimin e mbështetjes financiare, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
8. Kompensimi i shpenzimeve për pjesëmarrjen në veprimtarinë ndërkombëtare përfshin, si më poshtë vijon:
a) Shpenzimet e udhëtimit vajtje-ardhje, përllogaritur në bazë të distancës ajrore në kilometra, nga vendi i nisjes te vendi i zhvillimit të veprimtarisë, sipas vlerës financiare të përcaktuar për distancat në lidhjen 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Shpenzimet e akomodimit përgjatë zhvillimit të veprimtarisë ndërkombëtare, të përllogaritur në bazë të netëve të qëndrimit dhe vlerës së kompensimit financiar për natë qëndrimi, të përcaktuar për shtetin ku zhvillohet veprimtaria ndërkombëtare, sipas lidhjes 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
c) Shpenzimet e udhëtimit vajtje-ardhje dhe akomodimi për një person shoqërues, kur kandidati është fëmijë apo është person me aftësi të kufizuara, që mbështetet me ndihmës personal, në bazë të legjislacionit në fuqi për përfshirjen dhe akesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara.
9. Kompensimi i shpenzimeve për personin shoqërues përllogaritet, sipas rastit:
a) Në masën 50% të vlerës së përllogaritur për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit vajtje-ardhje dhe të akomodimit për kandidatin përfitues.
b) Në masën 150% të vlerës së përllogaritur për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit vajtje-ardhje dhe të akomodimit për kandidatin përfitues, kur shoqëron një grup prej 3 (tre) ose më shumë fëmijësh në të njëjtën veprimtari ndërkombëtare. Shuma financiare për kompensimin e shpenzimeve përllogaritet në masën 150% mbi vlerën e mbështetjes financiare të akorduar për njërin nga fëmijët, edhe në rastin kur numri i fëmijëve të shoqëruar në veprimtarinë ndërkombëtare është më i lartë se tre.
c) Në masën 100% të vlerës së përllogaritur për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit vajtje-ardhje dhe të akomodimit për kandidatin përfitues, që u përket grupeve të veçanta, sipas përcaktimit të pikës 4, të këtij kreu, apo për kandidatin përfitues me aftësi të kufizuara, që mbështetet me ndihmës personal.
10. Shpenzimet e tjera të nevojshme për pjesëmarrjen e kandidatit në veprimtarinë ndërkombëtare, si pagesa për vizën, regjistrimin, sigurimin e shëndetit, transportin e brendshëm, trajtimin ushqimor etj. nuk përballohen nga Programi. Përjashtimisht, për kandidatët përfitues që u përkasin grupeve të veçanta, të përcaktuara në pikën 4 të këtij kreu, Programi do të ofrojë mbështetje financiare për mbulimin e këtyre shpenzimeve, në masën 10% të vlerës financiare të akorduar për kompensimin e shpenzimeve të akomodimit, sipas përcaktimit të shkronjës “b”, të pikës 8, të këtij kreu, me kusht që këto shpenzime nuk përballohen nga organizatorët e veprimtarisë ndërkombëtare apo nga palë të treta.
11. Programi nuk akordon mbështetje financiare, nëse nga vlerësimi i dokumentacionit të paraqitur, rezulton se shpenzimet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 8, të këtij kreu, përballohen plotësisht nga organizatorët e veprimtarisë ndërkombëtare apo nga palë të treta. Nëse nga vlerësimi i dokumentacionit të paraqitur këto shpenzime rezultojnë pjesërisht në ngarkim të organizatorëve apo palëve të treta, Programi kompenson diferencën midis vlerës së akorduar për mbulimin e udhëtimit dhe të akomodimit e vlerës së kompensimit të shpenzimeve të përcaktuar në këtë vendim.
12. Shpërblimi financiar i jepet kandidatit përfitues bazuar në rezultatin e arritur në një veprimtari ndërkombëtare, të nivelit botëror, evropian e rajonal, sipas rasteve të mëposhtme:
a) Nëse kandidati klasifikohet nga vendi i parë deri në vendin e tretë, në renditjen përfundimtare të veprimtarisë ndërkombëtare;
b) Nëse kandidati fiton një nga çmimet e para sipas kategorive, akorduar në veprimtarinë ndërkombëtare, që, në bazë të rregullave të organizimit, nuk kryen renditje të përgjithshme të pjesëmarrësve.
13. Vlera e shpërblimit financiar i jepet kandidatit përfitues sipas rasteve të mëposhtme:
a) Në bazë të klasifikimit në renditjen individuale, sipas shkronjës “a”, të lidhjes 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Në bazë të klasifikimit në renditjen ekipore, sipas shkronjës “b”, të lidhjes 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
c) Për fitimin e njërit nga çmimet e para në veprimtarinë individuale, sipas shkronjës “c”, të lidhjes 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ç) Për fitimin e njërit nga çmimet e para në veprimtarinë ekipore, sipas shkronjës “ç”, të lidhjes 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
14. Kandidati humb të drejtën e përfitimit të shpërblimit financiar, sipas përcaktimeve të këtij kreu, nëse për rezultatet e arritura në veprimtarinë ndërkombëtare parashikohet mundësia e dhënies së një shpërblimi financiar, përmes një programi të ndryshëm, të financuar nga shteti shqiptar, pavarësisht vlerës financiare të këtij shpërblimi.
III. RREGULLAT PËR ORGANIZIMIN E THIRRJES VJETORE DHE PROCEDURAT PËR PËRFITIMIN E MBËSHTETJES FINANCIARE NË PROGRAM
1. AKR-ja harton dhe shpall, në fillim të çdo viti kalendarik, thirrjen për ofrimin e mbështetjes financiare nga Programi dhe mundësinë për aplikimin e kandidatëve. Thirrja shpallet në faqen e internetit të institucionit dhe qëndron e hapur përgjatë gjithë vitit kalendarik deri në shpenzimin e plotë të fondeve të akorduara për Programin.
2. Thirrja për aplikim përmban:
a) vlerën e mbështetjes financiare të akorduar për thirrjen;
b) udhëzimet për përgatitjen dhe dorëzimin e aplikimit;
c) formularët e aplikimit;
ç) informacionin për kriteret dhe procedurën e vlerësimit të aplikimeve.
3. Aplikimi për mbështetjen financiare, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, bëhet nga:
a) kandidati, nëpërmjet llogarisë së tij, në shërbimin përkatës në portalin “e-Albania”;
b) prindi ose kujdestari ligjor, kur kandidati është fëmijë, në shërbimin përkatës në portalin “e-Albania”;
c) personi shoqërues, nëpërmjet llogarisë së tij, në shërbimin përkatës në portalin “e-Albania” vetëm për përftimin e mbështetjes financiare, sipas përcaktimeve të shkronjës “c”, të pikës 8, të kreut II, të këtij vendimi.
4. Aplikimi për përfitimin e mbështetjes financiare, sipas përcaktimeve të shkronjës “a”, të pikës 5, të kreut II, të këtij vendimi, përfshin informacionin për kandidatin, veprimtarinë ndërkombëtare, organizatorët, mënyrën e përzgjedhjes së pjesëmarrësve, shpenzimet për pjesëmarrjen dhe personin shoqërues. Dokumentet që ngarkohen në portalin “e-Albania” janë, si më poshtë vijon:
a) Ftesa e pjesëmarrjes për kandidatin, lëshuar nga organizatorët e veprimtarisë ndërkombëtare.
b) Dokumenti i publikuar apo i lëshuar nga organizatorët e veprimtarisë ndërkombëtare, ku përcaktohen shpenzimet e mbuluara prej tyre apo të palëve të treta, për pjesëmarrjen e kandidatëve dhe/ose të personave shoqërues në veprimtarinë ndërkombëtare.
c) Vetëm për veprimtarinë ndërkombëtare të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi, ngarkohet akti i miratimit të pjesëmarrjes së kandidatit, lëshuar nga ministria përgjegjëse për arsimin parauniversitar. Në këtë rast, akti përmban dhe konfirmimin, nëse institucioni financon apo jo, përmes fondeve të veta, pjesëmarrjen e kandidatëve dhe/ose të personave shoqërues në veprimtarinë ndërkombëtare.
ç) Vetëm për veprimtarinë ndërkombëtare të përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi, ngarkohet akti i miratimit të pjesëmarrjes së kandidatit dhe, sipas rastit, të personit shoqërues, lëshuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar apo federata sportive shqiptare. Në këtë rast, akti përmban edhe konfirmimin, nëse institucioni përkatës financon apo jo, përmes fondeve të veta, pjesëmarrjen e kandidatëve dhe/ose të personave shoqërues në veprimtarinë ndërkombëtare.
d) Vetëm për veprimtarinë ndërkombëtare të përcaktuar në shkronjën “d”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi, ngarkohet dokumenti i lëshuar nga misioni diplomatik apo posti konsullor i Republikës së Shqipërisë në vendin përkatës. Dokumenti konfirmon rëndësinë e veprimtarisë për promovimin e imazhit ose të trashëgimisë së Shqipërisë në vendin përkatës dhe mbështetjen e kandidatit për pjesëmarrjen në këtë veprimtari.
dh) Sipas rastit, dokumenti që vërteton se kandidati u përket grupeve të veçanta, sipas përcaktimit të pikës 4, të kreut II, të këtij vendimi.
e) Sipas rastit, vendimi i komisionit mjekësor përkatës që kandidati është person me aftësi të kufizuara, që ka nevojë për përkujdesje personale.
ë) Çdo dokument tjetër që kandidati vlerëson të rëndësishëm për mbështetjen e aplikimit të tij.
5. Aplikimi për përfitimin e mbështetjes financiare, sipas përcaktimeve të shkronjës “b”, të pikës 5, të kreut II, të këtij vendimi, përfshin informacionin për kandidatin, veprimtarinë ndërkombëtare, organizatorët, mënyrën e përzgjedhjes së pjesëmarrësve, rezultatet e shpallura dhe përmban një pikë të veçantë për deklarimin që kandidati nuk është përfshirë në një procedurë administrative, që synon përfitimin e shpërblimit financiar për rezultatin e arritur në veprimtarinë ndërkombëtare, në kuadër të një programi të ndryshëm, financuar nga shteti shqiptar. Dokumentet që ngarkohen në portalin “e-Albania” janë, si më poshtë vijon:
a) Çmimi, certifikata apo dokumenti zyrtar i lëshuar nga organizatorët e veprimtarisë ndërkombëtare, që vërteton rezultatin e arritur nga kandidati në këtë veprimtari;
b) Sipas rastit, dokumenti që vërteton se kandidati u përket grupeve të veçanta, sipas përcaktimit të pikës 4, të kreut II, të këtij vendimi;
c) Çdo dokument tjetër që kandidati vlerëson të rëndësishëm për mbështetjen e aplikimit të tij.
6. Dokumentet që ngarkohen në portalin “e-Albania”, për aplikimin për përfitimin e mbështetjes financiare, sipas përcaktimeve të shkronjës “c”, të pikës 9, të kreut II, të këtij vendimi, janë, si më poshtë vijon:
a) Raporti mjeko-ligjor, që vërteton se personi shoqërues është i aftë fizikisht e mendërisht, nëse personi është i ndryshëm nga prindi apo nga kujdestari ligjor i kandidatit përfitues apo personi është i ndryshëm nga ndihmësi personal i kandidatit përfitues me aftësi të kufizuara;
b) Vetëdeklarimi i personit për marrjen përsipër të detyrimeve dhe të përgjegjësisë për shoqërimin e kandidatit/ëve në veprimtarinë ndërkombëtare.
7. Dokumentet e aplikimit në thirrje, sipas përcaktimeve të këtij kreu, në momentin e ngarkimit në portalin “e-Albania” duhet të jenë në gjuhën shqipe ose të përkthyera në gjuhën shqipe nga përkthyes zyrtarë, në origjinal ose të njësuara me origjinalin.
8. Afati i lejuar për dorëzimin e aplikimeve për përfitimin e mbështetjes financiare është, si më poshtë vijon:
a) Jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike përpara fillimit të veprimtarisë ndërkombëtare, sipas mënyrës së mbështetjes, të përcaktuar në pikën 3, të kreut 2, të këtij vendimi;
b) Jo më vonë se 45 (dyzet e pesë) ditë kalendarike pas përfundimit të veprimtarisë ndërkombëtare, sipas mënyrës së mbështetjes, të përcaktuar në pikën 12, të kreut II, të këtij vendimi.
9. Përjashtimisht, do të pranohet aplikimi i dorëzuar përtej afatit të përcaktuar në pikën 8 të këtij kreu, kur, për shkak të kushteve dhe të afateve të zhvillimit të veprimtarisë ndërkombëtare, respektimi i këtij afati nga kandidati nuk do të ishte i mundur.
10. Jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga shpallja e thirrjes për aplikim, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AKR-së, ngrihet komisioni i vlerësimit. Komisioni i vlerësimit përbëhet nga 3 (tre) anëtarë, ku njëri prej tyre mban pozicionin e kryetarit të komisionit.
11. Anëtarët e komisionit duhet të kenë jo më pak se 2 (dy) vjet eksperiencë pune në fushën e rinisë.
12. Komisioni i vlerësimit ushtron këto detyra:
a) Administron e vlerëson të gjitha aplikimet e dorëzuara në thirrje;
b) Bën vlerësimin e aplikimeve, duke përcaktuar njëkohësisht vlerën e mbështetjes financiare, që do t’u akordohet përfituesve;
c) Harton e nënshkruan raportin e vlerësimit për çdo aplikim të dorëzuar në thirrje.
13. Komisioni i vlerësimit, brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së aplikimit, bën verifikimin e përmbushjes së kritereve të thirrjes publike dhe, sipas rastit:
a) Merr vendimin për pranimin e aplikimit, duke përcaktuar edhe vlerën e mbështetjes financiare, që i akordohet përfituesit.
b) Merr vendimin për refuzimin e aplikimit për mbështetjen financiare. Ky vendim përmban, në çdo rast, edhe arsyet e refuzimit.
c) Kërkon informacion shtesë, nëpërmjet portalit “e-Albania”, në rastin kur aplikimi dhe dokumentacioni shoqërues nuk vërtetojnë përmbushjen e kritereve të thirrjes, duke lënë një afat prej 7 (shtatë) ditësh kalendarike për plotësimin e dokumentacionit. Aplikimi refuzohet, në rast se dokumentacioni nuk plotësohet brenda afatit të caktuar.
14. Komisioni i vlerësimit nuk shqyrton asnjë aplikim për mbështetje financiare, i dorëzuar përtej afatit të lejuar, sipas përcaktimeve të pikës 8 të këtij kreu, apo nuk mund të rivendoset në afat, në bazë të parashikimit të pikës 9 të këtij kreu.
15. Komisioni i vlerësimit shqyrton me përparësi aplikimin për mbështetje financiare të dorëzuar nga kandidati që u përket grupeve të veçanta të përcaktuara në pikën 4 të kreut II.
16. Vendimi për pranimin apo refuzimin e aplikimit për mbështetje financiare merret me shumicë votash nga anëtarët e komisionit të vlerësimit dhe i njoftohet kandidatit në portalin “e-Albania” me nënshkrim ose vulë elektronike.
17. Komisioni i vlerësimit, kur vërteton plotësimin e kushteve për akordimin e mbështetjes financiare, sipas përcaktimit të shkronjës “c”, të pikës 5, të kreut II, të këtij vendimi, njofton personin shoqërues, duke i lënë një afat prej 5 (pesë) ditësh kalendarike për ngarkimin e dokumenteve të përcaktuara në pikën 6, të këtij kreu, në portalin “e-Albania”. Në rast se personi shoqërues nuk kryen aplikimin brenda afatit të caktuar, komisioni i vlerësimit njofton kandidatin përfitues dhe i kërkon të përcaktojë një person shoqërues të ndryshëm nga i pari.
18. Komisioni i vlerësimit, kur, nga shqyrtimi i dokumentacionit të aplikimit të kandidatit, konstaton që është përcaktuar më shumë se një person shoqërues, njofton e fton për dorëzimin e aplikimit, nëpërmjet portalit “e-Albania”, fillimisht:
a) personin shoqërues, të përcaktuar në aktin e miratimit të lëshuar nga ministria përgjegjëse për arsimin parauniversitar për pjesëmarrjen në veprimtarinë ndërkombëtare, të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi;
b) personin shoqërues, të përcaktuar në aktin e miratimit të lëshuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar apo federata sportive shqiptare për pjesëmarrjen në veprimtarinë ndërkombëtare, të përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi;
c) personin shoqërues, të përcaktuar në dokumentin e konfirmimit, të lëshuar nga misioni diplomatik apo posti konsullor i Republikës së Shqipërisë në vendin përkatës të zhvillimit të veprimtarisë, të përcaktuar në shkronjën “d”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi;
ç) personin shoqërues, prindi ose kujdestari ligjor, për pjesëmarrjen në veprimtarinë ndërkombëtare, të përcaktuar në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi.
19. Komisioni i vlerësimit, kur vlerëson se dokumentacioni i ngarkuar, sipas pikës 18 të këtij kreu, nuk është i plotë, njofton personin shoqërues, nëpërmjet portalit “e-Albania”, duke i lënë një afat prej 5 (pesë) ditësh kalendarike për plotësim. Në rast se personi shoqërues nuk plotëson dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të caktuar, komisioni i vlerësimit njofton kandidatin përfitues dhe i kërkon të përcaktojë një person shoqërues të ndryshëm.
20. Vendimi për pranimin ose refuzimin e aplikimit për mbështetje financiare për personin shoqërues merret nga komisioni i vlerësimit me shumicë votash, bazuar në shqyrtimin e dokumentacionit të paraqitur. Vendimi i komunikohet personit shoqërues, nëpërmjet portalit “e-Albania”, me nënshkrim ose vulë elektronike.
Procedura e akordimit të mbështetjes financiare për personin shoqërues lejohet të përsëritet vetëm 1 (një) herë me një person shoqërues të ndryshëm nga i pari, në rast se:
a) komisioni i vlerësimit merr vendim refuzimi;
b) personi shoqërues nuk paraqet aplikimin brenda afatit të përcaktuar në pikën 17 të këtij kreu;
c) personi shoqërues nuk plotëson dokumentacionin brenda afatit të përcaktuar në pikën 19 të këtij kreu.
Në rast se edhe aplikimi i dytë nuk depozitohet brenda afatit apo nuk paraqitet dokumentacioni i kërkuar, kandidati humbet të drejtën për përfitimin e mbështetjes financiare për shoqërimin në veprimtarinë ndërkombëtare, në kuadër të këtij programi.
21. Ankimi ndaj vendimit të komisionit të vlerësimit për refuzimin e aplikimit apo për vlerën e përllogaritur të mbështetjes financiare, që i akordohet kandidatit përfitues apo personit shoqërues, i drejtohet drejtorit të Përgjithshëm të AKR-së, nëpërmjet portalit “e-Albania”, në përputhje me rregullat e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.
22. AKR-ja lidh marrëveshjen për mbështetjen financiare të kandidatit përfitues dhe të personit shoqërues. Disbursimi i mbështetjes financiare bëhet nga AKR-ja te llogaria bankare e përfituesit dhe e shoqëruesit të tij, brenda 14 (katërmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga nënshkrimi i marrëveshjes për mbështetjen nga Programi.
23. Kandidati përfitues dhe personi shoqërues dorëzojnë pranë AKR-së dokumentet justifikuese të udhëtimit dhe të akomodimit, brenda 14 (katërmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e përfundimit të veprimtarisë ndërkombëtare.
24. Kandidati përfitues ngarkohet me detyrimin e kthimit të mbështetjes financiare të përfituar sipas përcaktimeve të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 5, të kreut II, të këtij vendimi, në rastet kur, pa shkaqe të arsyeshme:
a) nuk paraqitet në veprimtarinë ndërkombëtare;
b) përjashtohet nga veprimtaria ndërkombëtare;
c) nuk përmbyll veprimtarinë ndërkombëtare;
ç) nuk dorëzon pranë AKR-së dokumentet justifikuese të udhëtimit e të akomodimit.
25. Personi shoqërues ngarkohet me detyrimin e kthimit të mbështetjes financiare të përfituar sipas përcaktimit të shkronjës “c”, të pikës 5, të kreut II, të këtij vendimi, në rastet kur, pa shkaqe të arsyeshme:
a) kandidati përfitues apo personi shoqërues nuk paraqitet në veprimtarinë ndërkombëtare;
b) kandidati përfitues përjashtohet nga veprimtaria ndërkombëtare;
c) kandidati përfitues nuk përmbyll veprimtarinë ndërkombëtare;
ç) nuk dorëzon pranë AKR-së dokumentet justifikuese të udhëtimit e të akomodimit.
26. Për efekt të zbatimit të këtij vendimi, shkaqe të arsyeshme do të konsiderohen sëmundje të menjëhershme apo ndërrim jete të personit apo një anëtari të familjes së tij, fatkeqësi natyrore, anulime dhe vonesa të mjeteve të transportit, që nuk varen nga personi, të vërtetuara sipas dokumentit përkatës.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Deri në ngritjen dhe funksionimin e sistemit elektronik për financimin e projekteve të dedikuara dhe të regjistrit elektronik për të rinjtë, aplikimet për përfitimin e mbështetjes financiare në Program do të administrohen në format fizik, nëpërmjet rrugëve postare dhe nëpërmjet postës elektronike, pranë AKR-së, sipas informacionit të dhënë në thirrjen e publikuar në faqen zyrtare të internetit.
2. AKR-ja përgatit raportin vjetor të monitorimit të Programit, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, dhe ia paraqet ministrisë përgjegjëse për rininë.
3. Vlerësimi i ndikimit të mbështetjes financiare të Programit bëhet çdo 2 (dy) vjet nga struktura përgjegjëse pranë ministrisë përgjegjëse për rininë.
4. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Rinisë për shpalljen e thirrjes për ofrimin e mbështetjes financiare nga Programi i Talenteve Rinore për vitin 2026, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
5. Ngarkohen ministria përgjegjëse për rininë, ministria përgjegjëse për punët e jashtme dhe Agjencia Kombëtare e Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


