4.4 milionë euro investim për menaxhimin e mbetjeve në landfillin e Bajkajt, Edi Rama: Zgjidhje për 12 bashki në Jug!

Në landfillin e Bajkajt po merr formë një nga investimet më të rëndësishme për menaxhimin e integruar të mbetjeve në jug të vendit. Bëhet fjalë për një projekt që do të ofrojë sisteme modern të trajtimit të mbetjeve duke përfshirë riciklimin dhe kompostimin. Projekti do të sigurojë zgjidhjen afatgjatë për trajtimin e mbetjeve për 12 bashki të qarkut Gjirokastër dhe zonës Vlora-Jug, duke garantuar kapacitete përballuese deri në vitin 2040.
Lajmi u dha nga Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, gjatë një vizitë në landfill dhe u konfirmua nga kryeministri Rama në një postim në rrjete sociale, ku tha se ky investim do të përballojë volume të larta të mbetjeve në zonë dhe përbën një zgjidhje afatgjatë
Ky është një investim strategjik për jugun e Shqipërisë. Me këtë projekt, ne jo vetëm rrisim kapacitetet e trajtimit të mbetjeve, por garantojmë standarde europiane, ulje të riskut mjedisor dhe një përgjigje të qëndrueshme ndaj rritjes sezonale të mbetjeve, veçanërisht nga flukset turistike.
Si fillim ne duhet të sistemojmë landfillin e Bajkaj që ta kemi të sigurt për investim për 25 vite me gjithë teknologjinë. Deri tani ka qenë një barrë vetëm për pushtetin vendor tani qeveria po hyn në bashkëmenaxhim me administratat e lanfilleve për të menaxhuar gjithë landfillet rajonale në mënyrë që bashkitë të kenë mundësinë që pagesat apo buxhetet ti kenë për ndarje në burim për grumbullimin e mbetjeve dhe për transport në landfillin përfundimtar. Më pas duke qenë se buxheti qendror do të jetë i pranishëm në gjithë financimet për landfillet, makineritë, punonjësit, pagat e punonjësve për një riorganizim kjo do të sjellë edhe një lehtësi në menaxhimin e mbetjeve”, shpjegoi Jaupaj.
Zona në fjalë, qarku Gjirokastër dhe Vlorë-Jug, përfshin rreth 160,000 banorë, ndërkohë që gjatë sezonit veror prodhimi i mbetjeve rritet ndjeshëm për shkak të intensitetit të turizmit në bashki si Saranda dhe Himara. Projekti parashikon zgjerimin dhe izolimin e qelizës së dytë të landfillit, përmirësimin e sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura, menaxhimin e gazit të landfillit, si dhe pajisje të reja moderne operacionale.
Faza e projektimit paraprak ka përfunduar në shkurt 2026, ndërsa projekti i detajuar pritet të finalizohet në prill 2026. Procesi i tenderimit dhe kontraktimit parashikohet të zgjasë rreth 3 muaj, ndërsa punimet do të nisin pas kontraktimit dhe do të zgjasin 18–24 muaj duke u përmbyllur brenda afateve.
Ndërhyrja përfshin gjithashtu ndërtimin e tre stacioneve transferimi në Përmet–Këlcyrë, Tepelenë–Memaliaj dhe Gjirokastër–Libohovë–Dropull, si dhe rehabilitimin e 12 vend-depozitimeve informale në të gjithë zonën, duke përmirësuar ndjeshëm standardet mjedisore dhe shërbimin për qytetarët./Shqiptarja


