Vonesat e theksuara në vlerësimin e magjistratëve/ KLGJ dhe KLP përballen me kritika të forta

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë përballur me kritika të forta gjatë një takimi të përbashkët të zhvilluar këtë të martë, ku në fokus ishin vlerësimet etiko-profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si edhe problematika e dosjeve të prapambetura.
Dy institucionet kanë detyrimin ligjor të realizojnë këto vlerësime, të cilat shërbejnë si bazë për ecurinë në karrierë të magjistratëve dhe emërimin e tyre në funksione më të larta. Megjithatë, në shumicën e rasteve, procesi vijon me vonesa të theksuara, pasi shumë prej vlerësimeve lidhen ende me periudha të disa viteve më parë.
Situata më problematike paraqitet në KLP, e cila vetëm vitin e kaluar, afro shtatë vite pas krijimit, miratoi rregulloren për vlerësimin e prokurorëve.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, e cilësoi situatën alarmante, duke theksuar se mungesa e vlerësimeve në kohë po ndikon drejtpërdrejt në procedurat e karrierës dhe funksionimin normal të sistemit të drejtësisë.
Sipas tij, meritokracia nuk matet me deklarata, por me procedura që mbyllen në kohë, me vlerësime të besueshme, renditje të qarta dhe promovime pa vonesa.


