Zbardhet VRASJA e 30-vjeçarit në Memaliaj/ Viktima qëlloi i pari, arrestohen autorët, shpallen në kërkim dy të tjerë

Policia e Gjirokastrës ka zbardhur rrethanat e ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e 21 prillit 2026 në Memaliaj, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi E. G., ndërsa u plagos shtetasi D. N.
Sipas hetimeve të kryera nga specialistët e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes disa personave.
Në pranga janë vënë shtetasit D. N., 25 vjeç dhe A. K., 47 vjeç, të dy banues në Memaliaj, të akuzuar për “vrasje me dashje” në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje të armëve”. Gjithashtu, është arrestuar edhe E. M., 41 vjeç, për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë, vëllezërit D. N., 29 vjeç dhe M. N., 28 vjeç, të dyshuar si autorë të përfshirë në vrasje dhe që janë larguar nga vendngjarja menjëherë pas krimit.
Sipas dinamikës së zbardhur, fillimisht gjatë konfliktit dyshohet se shtetasi E. G. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të D. N. (25 vjeç), duke e plagosur. Më pas, vëllezërit e këtij të fundit kanë hapur zjarr në drejtim të E. G., i cili si pasojë e plagëve humbi jetën gjatë transportimit për në spital.
Policia ka nisur gjithashtu procedim penal ndaj shtetasve J. K., 44 vjeç, për deklarim të rremë, dhe G. Q., 49 vjeç, për kanosje.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë me fishek në fole, një krehër me municion, si dhe prova të tjera materiale, përfshirë automjete, motomjete dhe telefona celularë.
Grupi hetimor vijon punën për kapjen e personave në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes


