“Është detyrim institucional”, Veliaj i drejtohet edhe GJKKO-së: Kërkon transmetim live të seancave

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka paraqitur një kërkesë pranë Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të mundësuar transmetimin live të seancave gjyqësore që lidhen me çështjen e tij.
Në dokumentin e depozituar, Veliaj argumenton se një proces i hapur për publikun përmes transmetimit të drejtpërdrejtë do të garantonte më shumë transparencë dhe besim te drejtësia. Ai gjithashtu ka njoftuar disa media kombëtare për këtë kërkesë.
Sipas tij, parimi i transparencës në një proces gjyqësor publik nuk duhet të jetë në diskrecion të gjykatës, por të konsiderohet si pjesë e detyrimit institucional për informimin e qytetarëve.
Kjo kërkesë pason një tjetër hap ligjor të ndërmarrë nga Veliaj në Gjykatën Administrative, ku ai ka ngritur padi ndaj prokurorit të posaçëm Ols Dado.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse GJKKO do të pranojë kërkesën për transmetimin live të seancave, një çështje që mund të hapë debat më të gjerë mbi transparencën në proceset gjyqësore në Shqipëri.


